Lidhje

Shtohet retorika, tre ditë para zgjedhjeve për në Kongresin amerikan


Mbeten vetëm tre ditë para zgjedhjeve për në Kongresin amerikan. Presidenti Trump mori pjesë në dy tubime dje, dhe do të marrë pjesë në dy të tjera sot. Trump ka në plan të vazhdojë kështu, deri ditën e zgjedhjeve më 6 nëntor. Por, nga ana e demokratëve, figura si ish-presidenti Barak Obama, ish-nënpresidenti Joe Biden, madje edhe Oprah Winfrey janë angazhuar gjithshtu nëpër tubimet para zgjedhore.

Vetëm 72 orë kanë ngelur deri ditën e zgjedhjeve për në Kongres. Presidenti Trump dhe ish-presidenti Obama kanë folur nëpër tubime...të dy, duke theksuar rëndësinë e zgjedhjeve të ardhshme.

“Këto zgjedhje do të vendosin nëse do të vazhdojmë me zhvillimin e jashtëzakonshëm që kemi parë, apo nëse do t’i lejojmë demokratët radikalë të marrin kontrollin e Kongresit” tha presidenti.

“Këtë herë zgjedhjet janë shumë të rëndësishme. Pasojat e të qëndruarit pa votuar janë të mëdha”.

Ndërsa të premten, lajmi i uljes së papunësisë shërbeu si adrenalinë për Trump-in.

Raporti i së premtes për punësimin tregonte se 250 mijë vende pune janë shtuar në tetor, dhe se pagat janë rritur më shpejt brenda një dekade.

Ish-presidenti Obama dikur ngurronte të fliste kundër pasardhësit të tij, por duke iu përgjigjur shifrave të punësimit në një tubim në shtetin e Xhorxhias tha:

“Më duhet ta shpjegoj se republikanët tani thonë, shikoni sa mirë është ekonomia. Nga mendoni se erdhi kjo?”

Presidenti Trump dhe ish-presidenti Obama kanë pikëpamje të ndryshme për sa i përket çështjes së imigracionit.

“Ata duan që këto karvanë të mbushur me njerëz që vijnë në mënyrë të jashtëligjshme të vërshojnë në vendin tonë, duke rrezikuar komunitetin tuaj” tha presidenti Trump.

“Ata po ju tregojnë se kërcënimi ekzistencial për Amerikën është një bandë refugjatësh të varfër një mijë milje larg” u shpreh ish-presidenti Obama.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG