Lidhje

Shtetet e Bashkuara lejojnë disa vende të blejnë naftë nga Irani


Shtetet e Bashkuara thonë se ka në plan të lejojnë disa vende, të vazhdojnë blerjen e naftës iraniane pa iu nënshtruar sanksioneve të ardhshme amerikane.

Sanksionet mbi Iranin pritet të rivendosen të hënën, si rezultat i tërheqjes së presidentit amerikan Donald Trump më parë këtë vit nga marrëveshja bërthamore mes Iranit dhe gjashtë fuqive botërore. Çdo vend që importon naftë iraniane dhe që nuk është lejuar nga Shtetet e Bashkuara, do të jetë subjekt i gjobave amerikane.

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo njoftoi vendimin në një konferencë të premten, por nuk specifikon se cilat vende do të përjashtohen ose sa kohë do të zgjasë kjo leje. Ai tha vetëm se Bashkimi Evropian nuk do të ketë të drejtë të importojë naftë nga Irani.

Ndërkohë, udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, foli të shtunën kundër Shteteve të Bashkuara - në prag të përvjetorit të revolucionit të vitit 1979 dhe marrjes nën kontroll të ambasadës amerikane në Teheran. Ai tha se fuqia e Shteteve të Bashkuara është në rënie dhe vendi po " venitet nga viti në vit".

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG