Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha të shtunën se ka ndarë një regjistrim të vdekjes së gazetarit saudit Jamal Khashoggi me Britaninë, Francën, Gjermaninë, Arabinë Saudite dhe Shtetet e Bashkuara.
Nuk pati asnjë konfirmim të menjëhershëm nga të pesë vendet që kishin marrë regjistrimin.
Ministri i Jashtëm turk Mevlut Çavushoglu tha më parë këtë javë se qeveria e tij ka më shumë informacion rreth vrasjes dhe se ka gjasa të bëjë publike provat pasi të kenë përfunduar hetimet për vdekjen e tij.
Duke folur gjatë një udhëtimi në Japoni, Çavusoglu u tha gazetarëve se Turqia i ka dhënë Arabisë Saudite dhe vendeve të tjera të interesuara informacionin.
Khashoggi vdiq pasi vizitoi konsullatën saudite në Stamboll më 2 tetor.
Fillimisht, Arabia Saudite tha se Khashoggi u largua nga konsullata dhe se nuk ishte në dijeni për vendndodhjen e tij, pastaj se ai vdiq gjatë një zënke dhe më vonë se ai kishte vdekur pasi i ishte zënë fryma. Prokurori publik i mbretërisë që prej asaj kohe e ka quajtur vrasjen me paramendim, por nuk ka thënë se kush e ka planifikuar apo miratuar atë.
Çavusoglu tha të martën se pas bisedimeve të shumta me mbretin saudit Salman, Presidenti turk Erdogan është i bindur se mbreti nuk ishte i përfshirë.
Megjithatë, Çavusoglu tha se është e qartë se një ekip prej 15 vetësh që thuhet se kanë udhëtuar në Turqi për të vepruar si një skuadër vrasëse nuk do të kishin ndërmarrë një veprim të tillë pa urdhër dhe se hetuesit duhet të gjejnë se kush është përgjegjësi.
Turqia tha javën e shkuar se Khashoggi, një gazetar me banim në Shtetet e Bashkuara, i cili ka shkruar opinione për gazetën The Washington Post që ishin kritike ndaj princit saudit të kurorës Mohammed bin Salman, u mbyt sapo hyri në konsullatë, trupi i tij u shpërbë dhe pastaj u shkatërrua, me acid.
Facebook Forum