Lidhje

NATO dërgon mesazh të qartë me manovrat në Norvegji


NATO-ja ka përmbyllur manovrat një mujore në Norvegji, të titulluara “Trident Juncture”. Këto ishin manovrat më të mëdha të Aleancës që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë dhe kanë rindezur debatin lidhur me koston e sigurisë së Evropës. Korrespondenti Charles Maynes njofton nga Trondheim i Norvegjisë:

Norvegjia me fjordet e pafundme reflekton imazhin e qetësisë. Nuk ka asgjë në këtë panoramë që tregon se ky vend është i rrethuar.

Por gjatë muajit të fundit, 29 vendet e NATO-s si dhe trupa nga Suedia dhe Finlanda, kanë bashkuar forcat për të dëbuar një forcë pushtuese.

Aleanca ka shpalosur fuqinë nga toka, deti dhe ajri. Por bëhet fjalë për një krizë të simuluar.

Megjithatë, duke dërguar 50 mijë trupa në Norvegji, NATO-ja ka dëshmuar me prova reale angazhimin e saj për mbrojtjen kolektive, megjithëse askush nuk flet për ndonjë armik real:

“Kemi kohë që punojmë për këto manovra. Por ato nuk janë planifikuar kundër askujt,” thotë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Jo larg fushëbetejës është qyteti Trondheim ku banorët lokalë ngrenë supozime:

“Mendoj se po përgatiten kundër Rusisë, megjithëse nuk e thonë,” thotë një vajzë.

“E kanë me fqinjët tanë në lindje... ëhë...,” thotë një grua.

“Nuk diskutohet që armiku është Rusia,” thotë një burrë.

Të gjithë e kanë të qartë situatën gjeopolitike. Pas aneksimit të Krimesë nga Rusia në 2014, Norvegjia së bashku me vendet e tjera të NATO-s kanë shprehur shqetësim për qëndrimet ruse që i shohin si provokime.

Por ka disa që thonë se duke organizuar manovrat “Trident Juncture” Norvegjia ka rrezik ta acarojë krizën lindje-perëndim në veriun e Evropës.

“Kjo nismë për të sjellë NATO-n në veriun e Evropës shihet me shumë skepticizëm nga Rusia. Norvegjia thotë se po forcon mbrojtjen, por nga ana ruse nuk duket ashtu,” thotë analistja Julie Wilhelmsen.

Kontigjenti i Shteteve të Bashkuara me 15 mijë ushtarë është më i madhi në manovra. Që nga 2017 këtu është dislokuar një kontigjent marinsash me pjesëtarë që qarkullohen rregullisht.

Marinsat thonë se klima norvegjeze ofron kushtet e nevojshme për të provuar si luftohet në një zonë të ftohtë.

“Në Amerikë nuk e kemi këtë klimë, apo problemet që dalin nga rreshjet e shumta të borës,” thotë një major i Marinës amerikane.

Ndërkaq, zyrtarët amerikanë këmbëngulin se prania e trupave u jep fund shqetësimeve për angazhimin amerikan ndaj NATO-s, megjithë kritikat e shpeshta që ka drejtuar Presidenti Trump ndaj Aleancës.

“Aleanca e NATO-s është shumë e fortë; jemi të bashkuar,” tha ambasadorja amerikane në NATO, Kay Bailey Hutchinson.

Ushtarët thonë se nuk kishin kurrë dyshim në këtë aspekt. Megjithëse skenari është i simuluar, mesazhi drejtuar armiqve, qoftë edhe pa i përmendur me emër, është plotësisht real.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG