Lidhje

Shkodër, vazhdojnë vrasjet


Një përson u vra dhe një tjetër mbeti i plagosur gjatë një atentati me armë zjarri sot rreth mesditës në një nga lagjet më të populluara të qytetit të Shkodrës, në lagjen “Rus” , atje ku ndodhet edhe tregu i lirë i qytetit. 31 vjeçari Fatos Ferracaku dhe shoku tij Fatmir Mehaj ndodheshin në një lokal kur dy përsona me një motorçiklete dhe me skafandera në kokë iu afruan duke qëlluar tetë herë në drejtim të tyre. 31 vjeçari Ferracaku ndërroi jetë teksa po dërgohej me urgjencë në spital, ndërsa i plagosuri tjetër po trajtohet ne spital dhe, per momentin, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Pak minuta pas ngjarjes, policia vendore bëri të ditur se, në periferi të qytetit, ka gjetur një motoçikletë të djegur, e cila dyshohet se është përdorur nga autorët e ngjarjes. Ndërkohë, ende nuk ka asnjë të dhënë në lidhje me autorët e atentatit.

Shtetasi i vrarë, Fatos Ferracaku ishte tregtar peshku në merkatën e Rusit. Ai identifikohet si kushëri i biznesmenit Arjan Ferracaku, edhe ky i vrarë në shtator të këtij viti në zonën periferike të Livadeve, çka ka hedhur dyshime se vrasja e sotme ka lidhje me krimet e mëparshme të kryera nga grupet kriminale që veprojnë në qytetin e Shkodrës.

Vendi ku ndodhi atentati i sotëm është vetëm disa metër nga ai i atentatit me lëndë shpërthyese, ndodhur në janar të këtij viti në Shkodër, atentat ky i drejtuar ndaj një përsonazhi të njohur të krimit në këëtë qytet, biznesmenit Lulzim Kulla, atentat ku mbetën të plagosur 8 përsona.

Atentati ndaj biznesmenit Kulla u shoqërua me përplasjen mes grupeve kriminale që veprojnë prej kohësh në këtë qytet, përplasje që çuaj në vrasjen e ish policit Boran Bercana dhe bashkëjetueses së tij, atenatin ndaj Fatbardh Licit por edhe me zhdukjen e dy përsonave, krime këto ende të pazbardhura. Pas ngjarjeve të dhunshme dhe reagimeve të forta të opozitës së bashkuar, në fillim të shtatorit policia nisi një operacion të gjërë kundër grypeve kriminale që veprojnë në Shkodër, operacion që çoi në arrestimin e disa përsonave dhe shkatërrimin e grupit kriminal “Bajri”. Por, sipas ish Ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafajt, në Shkodër veprojnë edhe grupe të tjera kriminale, ndaj të cilave policia ende nuk ka ndërhyrë.

Atentati i ditës së sotme ne qytetin e Shkodrës, me një të vrarë dhe një tjetër të plagosur, vjen vetëm një ditë pasi zv. Ministri i Brendshëm Sandër LLeshaj zhvilloi një takim me policinë vendore të Shkodrës, takim gjatë të cilit kërkoi forcimin e masave në luftën kundër krimit dhe grupeve kriminale.

Gjatë 28 viteve të fundit, Shkodra është renditur ndër qytetet me një numër të lartë të vrasjeve, kryesisht për gjakmarrja apo për vepra të tjera penale, por vrasjet e muajve të fundit në këtë qytet dyshohet se lidhen me përplasjet dhe veprimtarinë e grupeve kriminale, që pas vetes kanë pasur dhe kanë edhe mbështetjen e të dy krahëve të politikës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG