Lidhje

Ambasadat përshëndesin dënimin e Shullazit


Në Shqipëri disa ambasada të huaja reaguan pozitivisht ndaj vendimit të djeshëm të Gjykatës së Krimeve të Rënda e cila dënoi me 55 vite burgim Emiljano Shullazin dhe 4 anëtarë të tjerë të grupit të tij.

Për ambasadën amerikane e cila ka ndjekur nga afër procesin “dita e djeshme shënoi një hap domethënës përpara për qytetarët shqiptarë që kërkojnë dhe meritojnë drejtësi të vërtetë nga sistemi i tyre gjyqësor”. Ambasada shton se u inkurajua nga “puna e prokurorëve të cilët përmes provave bindën gjykatësit se një bos i krimit dhe kriminelë të tjerë e kanë vendin në burg. Vendimi i marrë është një fitore për sundimin e ligjit në Shqipëri”, thekson ambasada duke shtuar se qytetarët shqiptarë tani pyesin se kush e ka radhën.

Edhe për ambasadoren gjermane Sussane Schutz, vendimet e djeshme “tregojnë, se askush nuk qëndron mbi ligjin, sikundër nënvizojnë forcën e shtetit ligjor në Shqipëri. Është e rëndësishme – shton më tej ajo - që drejtësia shqiptare të vazhdojë të veprojë kundër krimit të organizuar mbi bazën e ligjit dhe të drejtës”. Ambasadorja gjermane thekson se “përmirësimi i bilancit të sukseseve në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është një nga detyrat qendrore të Shqipërisë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian”.

Vendimi ndaj grupit të Shullazit u mirëprit dhe nga ambasada britanike sipas së cilës “krimi i rëndë dhe i organizuar vazhdon të përkeqësojë ekonomitë, shkatërron jetë dhe dëmton komunitetet”.

Edhe OSBE-ja është rreshtuar me ambasadat që përshëndetën vendimin, duke theksuar përmes një deklarate se “kriminelët e kanë vendin në burg”. Osbe shton se është “e inkurajuar nga operacionet e muajve të fundit kundër krimit të organizuar dhe, së bashku me qytetarët shqiptarë që respektojnë ligjin, presim të shohim më shumë arrestime dhe dënime të kriminelëve të rrezikshëm”, shprehet prania e OSBE-së në Tiranë, duke shtuar se “mbështesim vendosmërinë e qeverisë së Shqipërisë për të përshkallëzuar luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG