Lidhje

Presidenti flet për ndryshimet në Shtëpinë e Bardhë


Presidenti amerikan Donald Trump tha të enjten se Shtëpia e Bardhë po "funksionon shumë mirë" edhe pse, siç pohoi ai, këshilltarë të tjerë të lartë të tij pritet të shkarkohen.

"Do të bëj ndryshime në drejtime të ndryshme," tha zoti Trump për portalin konservator “Daily Caller”.

Javën e kaluar, një ditë pasi demokratët morën kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve për herë të parë pas tetë vitesh, zoti Trump largoi Prokurorin e Përgjithshëm Jeff Sessions.

Presidenti Trump e kishte kritikuar prej kohësh zotin Sessions për vendimin për t’u tërhequr nga mbikëqyrja e hetimeve që po kryen Prokurori i Posaçëm Robert Mueller mbi lidhjet e mundshme me Rusinë të ndihmësve të fushatës elektorale të zotit Trump në 2016 si dhe nëse zoti Trump, në detyrën e presidentit, ka penguar drejtësinë, duke u përpjekur të pengojë hetimet.

Të mërkurën Shtëpia e Bardhë njoftoi largimin e zëvendës këshilltares për Sigurinë Kombëtare Mira Ricardeli, pasi Zonja e Parë, Melania Trump, tha se ajo nuk e meritonte më nderin të punonte për Presidentin.

“Mira Ricardeli do të vazhdojë të mbështesë Presidentin ndërsa largohet nga Shtëpia e Bardhë për të kaluar në një rol të ri brenda administratës", tha në një deklaratë zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Sarah Sanders, por ajo nuk shpjegoi se për çfarë detyre bëhet fjalë.

Sipas njoftimeve të ndryshme, presidenti Trump po shqyrton mundësinë e shkarkimit të sekretares për Sigurinë Kombëtare Kirsten Nielsen dhe shefit të personelit të Shtëisë së Brdhë John Kelly.

Zonja Ricardeli, një ish-zyrtare e Departamentit të Tregtisë, u zgjodh nga këshilltari për Sigurinë Kombëtare, John Bolton, për të shërbyer si zëvendëse e tij.

Sipas një zyrtari të lartë të administratës, mes zonjës Ricardeli dhe Melania Trump-it e stafit të saj, ka patur përplasje lidhur me udhëtimin e Zonjës së Parë në Afrikë në muajin tetor dhe përdorimin e burimeve qeveritare për këtë vizitë.

Zonja Ricardeli gëzon gjithashtu një reputacion si kritike e ashpër e stafit në Shtëpinë e Bardhë, thanë disa burime.

Zyra e Zonjës së Parë mori një hap të pazakontë duke bërë publik qëndrimin e saj kundër zonjës Ricardel-i.

"Zyra e Zonjës së Parë mendon se Mira Rikardeli nuk e meriton më nderin që të shërbejë në Shtëpinë e Bardhë", tha Stephanie Grisham, zëdhënëse e Zonjës së Parë.

Ndërsa Zonjat e Para njihen historikisht për ushtrim ndikimi ndaj bashkëshortëve të tyre, për çështje të lidhura me detyrën zyrtare, ato zakonisht nuk kanë dhënë deklarata publike mbi këto çështje.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG