Lidhje

Shkodër, shfaqen disa dëshmi të krimeve të komunizmit


Shkodër, shfaqen dëshmi të krimeve të komunizmit
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:47 0:00

Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit solli të martën në Shkodër, në takimin “Letërsia dhe Vuajtja”, disa dhjetra videodëshmi të interpretuara nga artistë dhe përsonalitete të jetës politike mbi përjetimet e ish të përndjekurve dhe të burgosurve politikë në burgjet dhe kampet e vdekjes gjatë periudhës së regjimit komunist.

Drejtori i Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojat e Komunizmit, shkrimtari Agron Tufa, tha se vidiotregimet bazohen në dëshmitë reale të ish të burgosurve politikë dhe synojnë që të përcillen veçanërisht tek të rinjtë.

"Kam menduar se një formë e tillë rrëfimi i drejtpërdrejtë mund t’i flasë njeriut më shumë se një vepër me 500 faqe. Jam munduar të them që, ato vuajtje dhe përjetime, në momentet kritike të fatit, i kanë ndodhur secilit prej nesh dhe se si do të ishte ndjerë gjithkush në minutat fatale të jetës. Këto tregime afrojnë qindra foto të atij realiteti makabër, ose qindra zëra që na ushtojnë në veshë".

Pjesë e videotregimeve të shfaqura në Shkodër janë marrë edhe nga librat e botuara nga Bardha Saraçi, një ish e përndjekur politike, e cila vitet e fundit i është përkushtuar pasqyrimit të krimeve të komunizmit në Shqipëri.

"Jam shumë e lumtur që, pas kaq vitesh që unë kam punuar për persekutimin e femrës dhe fëmijëve në regjimin komunist, një autor si Agron Tufa i ka kthyer në art. Unë them se ky është një ndër leximet më të bukura. Ne themi se po vuajmë për leximin, por një nga variantet e leximit është edhe kjo mënyrë. Do të doja që shumë artistë shqiptarë, shkrimtarë, poetë, të arrijnë t’i kthejnë në art këto dëshmi".

Për Agron Tufën, shoqëria dhe institucionet shqiptare nuk kanë bërë sa duhet për dënimin e krimeve të periudhës komunite dhe as për dokumentimin e tyre.

"Flasim në një vend ku mijëra varre nuk dihet se ku janë. Vazhdojnë e derdhen përrej me retorikë, të paktën prej 20 vjetesh që po i dëgjojmë, dhe asgjë kontrete nuk po bëhet. Unë mendoj se, të paktën brezave të ardhëshëm ne duhet t’u lëmë disa dëshmi dhe, ndër këto dëshmi, mendoj se një rol modest do ta kenë edhe këto videotregime".

Instituti për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit ka realizuar vitet e fundit rreth 150 intervista me ish të burgosur dhe të përndjekur politikë të regjimi komunist si pjesë e projektit “Shpëtimi i kujtesës së të mbijetuarve”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG