Lidhje

Ekspertët: urbanizimi rrezikon krizën e strehimit


Bazuar në shifrat e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, më shumë se gjysma e popullsisë së botës jeton në qytete. Rreth mesit të këtij shekulli, 68 për qind e globit do të urbanizohet, duke e rritur popullsinë e qyteteve me 2 miliardë e gjysëm banorë. Kjo rritje pritet të shoqërohet me probleme përfshirë mungesën e strehimit dhe siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Mike O'Sullivan, disa rajone urbane në rritje, kanë nisur tashmë të përballen me krizën e strehimit.

Nga Los Anxhelosi, ku më të varfërit i kanë nxjerrë me detyrim nga tregu i banesave…në Mumbain e mbushur me rreth 20 milionë banorë, qytetet po përjetojnë vështirësi me strehimin.

Njerëzit po grumbullohen rreth qyteteve, qofshin qendra të vogla urbane, apo qytete të stërmëdha si Lagosi në Nigeri, me më shumë se 20 milionë banorë.

"Jo vetëm sepse aty ndodhen vendet më të paguara të punës, por për mundësitë e bashkëveprimit, përparimit, qasjes ndaj burimeve të ndryshme", - thotë Kevin Klowden, i institutit "Milken".

Disa shtete kanë shkuar deri aty sa kanë ndërtuar kryeqytete të reja, si masë për të zbutur mbipopullimin. Egjipti po ndërton një të tillë jashtë Kairos.

"Disa vende po i zhvendosin kryeqytetet. Ata janë përpjekur të ndërtojnë qytete të reja artificiale, kur i kanë paratë për investime, por kjo është një zgjidhje e përkohshme,"- thotë zoti Klowden.

Njerëzit preferojnë të jetojnë në qytete aktive, sikurse Tokio qyteti më i madh në botë, me një popullsi prej 35 milionë banorësh.

Kudo qytetet po përballen me një mjedis që ndryshon dhe sfidat që sjell ky proçes, siç është rritja e nivelit të detit dhe mungesa e ujit të pijshëm.

"Shpesh rritja e popullsisë i paraprin planeve për të siguruar hapësira të mjaftueshme për rritjen dhe në disa raste rregulloret për shfrytëzimin e tokës pasqyrojnë një epokë më të hershme", - thotë Eric Heikkila, i universitetit të Kalifornisë Jugore.

Njerëzit në vendet në zhvillim përballen me sfida të tjera të mëdha. Ata mund të jenë zhvendosur nga konflikti dhe nuk kanë titull pronësie mbi tokën, apo nuk gjejnë dot huadhënës t’u financojë blerjen e një shtëpie.

"Pra gjëra që ne në Shtetet e Bashkuara nuk i vlerësojmë sa duhet, sikurse pronësia mbi shtëpinë, shpesh është diçka e parelizueshme për disa njerëz, sidomos për gratë dhe shtresat e margjinalizuara në disa vende. Ndaj politikat publike janë të rëndësishme", thotë Tjada McKena, e grupit "Habitat for humanity international".

Nismat private po e ndihmojnë çështjen e strehimit. Organizata e bamirësisë "Habitat for Humanity" rekruton vullnetarë për ndërtimin e shtëpive.

"Edhe jashtë Shteteve të Bashkuara ne po ndihmojmë me mikro-kredi, për përmirësimin e kushteve të strehimit. Këto hua i ndihmojnë njerëzit të rinovojnë banjat apo kuzhinat".

Në trajtimin e problemeve urbane, çdo qytet është i ndryshëm.

"Kjo varet nga disa faktorë, si niveli i zhvillimit, nga pozicioni gjeografik, fuqia ekonomike, institucionet, pra çdo qytet ka historinë e tij."- thotë Eric Heikkila, i Universitetit të Kalifronisë Jugore

…Ndaj dhe zgjidhja duhet të jenë të veçanta për çdo qytet.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG