Lidhje

Pezullohet taksa e karburanteve që nxiti protestat në Francë


Kryeministri francez Édouard Philippe thotë se taksa e planifikuar e karburantit është pezulluar, pas disa javë protestash të mëdha nga qytetarë të veshur me xhaketa të verdha të sigurisë. Në një fjalim televiziv, Philippe tha se "Asnjë taksë nuk meriton të rrezikojë unitetin e kombit".

"Së bashku me Presidentin e Republikës, anëtarët e parlamentit, e dëgjojmë këtë zemërim dhe e vlerësojmë realitetin, forcën dhe seriozitetin e situatës. Është zemërimi i francëzëve që punojnë, që punojnë shumë dhe që e kanë të vështirë të përballojnë jetesën".

Tërheqja vjen pas protestave kundër taksës së karburantit që shkaktoi trazira në Paris, me njerëzit që plaçkitën dyqanet, dogjën makina dhe shkruan me grafiti mesazhet e tyre në Harkun e Triumfit dhe Varrin e ushtarit të panjohur.

Kryeministri francez Edouard Philippe njoftoi sot një pezullim të rritjes së taksave të karburantit, një kthesë e madhe në përpjekje për të qetësuar lëvizjen e protestës që ka radikalizuar dhe e ka çuar Parisin në kaos.

Pas trazirave në kryeqytet, më të rëndat në dekada, Philippe e tërhoqi mbështetjen për rritjen e planifikuar të taksës, e cila ishte vendosur të hynte në fuqi në janar dhe që tani po shtyhet deri në verë.

“Jam i bindur se nëse shteti duhet të mbetet i fortë dhe i vendosur, së pari ai duhet të garantojë paqen publike. Është një domosdoshmëri për të qeverisur Francën, por asnjë taksë nuk meriton të rrezikojë unitetin e kombit", tha kryeministri.

Presidenti Emmanuel Macron njoftoi rritjen e taksës së karburantit muajin e kaluar si pjesë e një plani për ta kaluar Francën nga lëndët djegëse fosile në burimet e ripërtëritshme të energjisë në një përpjekje për të luftuar ndryshimet klimatike. Parisianët e zemëruar veshën xhaketa të dallueshme të trafikut që u kërkohet të mbajnë në makinat e tyre dhe dolën në rrugët e qytetit historik më 17 nëntor për të protestuar ndaj rritjes së çmimeve. Protestat janë rritur duke përfshirë një numër ankesash, me protestuesit që pretendojnë se qeveria e Macronit nuk do t’ja dijë për problemet e njerëzve të zakonshëm.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG