Lidhje

Ngrihen KLGJ dhe KLP, SHBA dhe BE: Hap vendimtar


Votimi per KLGJ

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Europian dhe prania e OSBE-së në Shqipëri përshëndetën mbrëmjen e së mërkurës ngritjen e dy institucioneve të para të sistemit të ri të drejtësisë, Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë të Gjyqësorit. Në deklaratat që pasuan përmbylljen e procesit të zgjedhjes së anëtarëve të KLGJ-së, të mërkurën, përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar në Tiranë folën për “një hap vendimtar në zbatimin e Reformës në Drejtësi në Shqipëri” e cila sipas ambasadës amerikane “zëvendëson një sistem të prishur me një sistem me integritet, i cili përmbush dhe u shërben nevojave të qytetarëve shqiptarë”. Ambasada gjithashtu “përgëzon prokurorët dhe gjykatësit që morën pjesë në votim për kurajon e tyre dhe që zgjodhën të ndryshojnë historinë e Shqipërisë”.

Si SHBA-tw dhe vendet anëtare të BE-së, theksojnë se “Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë janë dy shtyllat e një sistemi gjyqësor të pavarur dhe cilësor. Ngritja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë do të mundësojë tani krijimin e Strukturës Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, si edhe zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm të përhershëm”. Për SHBA-të “këto institucione të drejtësisë janë të gjithë gurë të rëndësishëm në ndërtimin e shtëpisë së drejtësisë”, ndërsa vendet anëtare të BE-së nënvizojnë se këto dy institucione “do të mundësojnë konsolidimin e mëtejshëm të progresit të bërë me Reformën e Drejtësisë”.

Të dya palët theksojnë se “aktorët kombëtarë duhet tani të konsolidojnë këtë përparim të reformës në drejtësi, përfshirë edhe nëpërmjet rekrutimit dhe emërimit të magjistratëve të rinj, gjë që është vendimtare për funksionimin e gjyqësorit. Një gjyqësor i fortë dhe i pavarur është kritik për të sjellë për popullin shqiptar rezultate në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”. Si SHBA-të dhe vendet anëtare të BE-së konfirmojnë angazhimin e tyre për të mbështetur më tej Shqipërinë “për ndërtimin e një sistemi gjyqësor të pavarur dhe cilësor, i cili sjell drejtësinë për të gjithë qytetarët shqiptarë”. Të njejtën mbështetje premton dhe OSBE-ja, sipas së cilës Reforma në Drejtësi “do të mund të quhet e përfunduar vetëm atëherë kur të ndihet nga qytetarët shqiptarë, në jetën e tyre të përditshme, në mbarë vendin”.

Anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë u zgjodhën të martën, ndërkohë që përfaqësuesit e gjykatësve në Këshillin e Lartë Gjyqësor, gjatë një procesi votimi të mërkurën. Ata janë Dritan Hallunaj, Marçela Shehu, dhe Brunilda Kadi, nga gjykatat e Shkallës së Parë; Brikena Ukperaj dhe Ilir Toska nga gjykatat e Apelit, dhe Medi Bici nga Gjykata e Lartë. Ngritja e KLGJ-së zhbllokon ngërѯin e krijuar me emërimet dhe transferimet në gjykata, si dhe i hap rrugën plotësimit të vendeve bosh në Gjykatën e Lartë e cila ka mbetur vetëm me 4 anëtarë, pasi një pjesë e mirë u rrëzuan gjatë procesit të riverësimit. Po ashtu KLGJ ndër detyrat e para do të ketë dhe ngritjen e Gjykatës speciale antikorrupsion e cila do të shqyrtojë rastet e hetuara nga Prokuroria speciale e njohur ndryshe dhe si SPAK-u.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG