Lidhje

Kryeministrja May vazhdon konsultimet me udhëheqësit e Këshillit Evropian


Kryeministrja britanike Theresa May vazhdoi sot takimet në Bruksel me udhëheqësit e Këshillit Evropian mbi daljen e planifikuar të Britanisë nga Bashkimi Evropian. Takimet zhvillohen pasi nuk kaloi një mocion mosbesimi në parlamentin britanik ndaj qeverisë së zonjës May.

Një e treta e konservatorëve në dhomën e ulët të parlamentit britanik votuan dje kundër zonjës May, duke nxjerrë kështu në dukje pengesat me të cilat ajo përballet për kalimin në parlament të marrëveshjes Brexit, për të cilën ekzistojnë dyshime të mëdha.

“Një numër i madh kolegësh hodhën votën kundër meje dhe unë dëgjova argumentat e tyre. Pas këtij votimi, ne duhet tashmë të vazhdojmë me punën për të realizuar Brexit-in për popullin britanik dhe për ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për vendin; një marrëveshje Brexit që përmbush vullnetin që njerëzit shprehën përmes votës, që na rikthen kontrollin mbi monedhën, kufijtë dhe ligjet tona, që mbron vendet e punës, sigurinë dhe unitetin, që ribashkon vendin dhe nuk thellon ndasitë”, deklaroi Kryeministrja May.

Më herët gjatë kësaj jave, zonja May vendosi të shtyjë votimin në parlament për marrëveshjen e daljes nga BE-ja, pasi u duk qartë që ligjvënësit do ta refuzonin.

Një votim kundër marrëveshjes do ta detyronte Kryeministren May të largohej nga detyra, duke provokuar ndoshta edhe rënien e qeverisë konservatore dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG