Lidhje

Çfarë ndodh pas dënimit të avokatit Michael Cohen?


Michael Cohen exits Federal Court

Ish-avokati personal i presidentit Donald Trump, Michael Cohen, u dënua të mërkurën me tre vjet burg, në lidhje me shkelje në financimin e fushatave dhe për gënjeshtra ndaj Kongresit. Zoti Cohen është një dëshmitar kyç në hetimin për Rusinë të drejtuar nga Prokurori i Posaçëm, Robert Mueller që do të përcaktojë nëse kishte bashkëpunim të qëllimshëm mes zyrtarëve të fushatës së Presidentit Trump dhe Rusinë në vitin 2016. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Jim Malone analizon ç’do të thotë ky dënim.

Ish-avokati i zotit Trump, Michael Cohen kaloi me shpejtësi para gazetarëve, jashtë gjykatës federale në Nju Jork, pasi u dënua me tre vjet burg.

Brenda gjykatës, zoti Cohen i tha një gjykatësi federal se ishte “besnikëria e verbër” ndaj Donald Trumpit që e bëri të mbulonte ato që ai i quajti “pazaret e pista” të Presidentit Trump.

Zoti Cohen kishte pranuar fajësinë për shkeljen e ligjeve të financimit të fushatave, duke bërë pagesa para zgjedhjeve të vitit 2016 për të siguruar heshtjen e dy grave që thonë se kanë pasur marrëdhënie me Donald Trumpin, para disa viteve.

Në dokumente të mëparshme, prokurorët thanë se zoti Cohen i kishte thënë se zoti Trump i kishte kërkuar të bënte pagesat, një pohim i rëndësishëm, thotë gazetari i çështjeve ligjore, Chad Day.

“Zoti Trump i ka mohuar marrëdhëniet por këto dokumente të gjykatës tregojnë se zoti Cohen u ka treguar prokurorëve për veprimet kriminale të tij, nën udhëzimin e presidentit”.

Zoti Cohen u dënua gjithashtu në lidhje me gënjeshtrat ndaj kongresit lidhur me interesimin e zotit Trump për një projekt ndërtimi në Rusi, ndërsa ishte kandidat presidencial.

Presidenti Trump ka mohuar çdo bashkëpunim të qëllimshëm mes zyrtarëve të fushatës së tij dhe Rusisë dhe e ka kritikuar hetimin e drejtuar nga Prokurori i Posaçëm, Robert Mueller, duke e quajtur një “gjueti shtrigash.”

Muajin e kaluar, ai sulmoi zotin Cohen për bashkëpunimin me prokurorët.

“Michael Cohen po gënjen dhe po përpiqet të ulë dënimin e tij për gjëra që s’kanë të bëjnë fare me mua”.

Përveç zotit Cohen, ish-këshilltari i sigurisë kombëtare, Michael Flynn do të dënohet javën e ardhshme në lidhje me hetimin për Rusinë.

Zoti Flynn e ka pranuar se ka gënjyer hetuesit lidhur me kontaktet e tij me ambasadorin rus para inaugurimit të Presidentit Trump.

Hetimi i zotit Mueller po intensifikohet dhe mund të arrijë pikën kulmore në fillim të vitit të ardhshëm në fillim të vitit të ardhshëm, thotë analisti Ric Simmons.

“Ne po prisnim që zoti Cohen të jepte informacion, gjë që është e qartë që ai ia dha zotit Mueller dhe ka bërë shumë punë me dëshmitarë të tjerë që kanë bashkëpunuar. Kështuqë unë parashikoj që do të shohim një përfundim në muajt e ardhshëm”.

Zoti Cohen, që dikur ishte shprehur që do të jepte edhe jetën për zotin Trump, do të fillojë të vuajë dënimin më 6 mars.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG