Lidhje

Sërish protesta në Paris


Megjithë thirrjet e autoriteteve franceze për qetësi, qindra protestues u mblodhën sërish sot tek Harku i Triumfit dhe marshuan drejt bulevardit të famshëm të Parisit, Champs Elysees. Mbi 8 mijë policë ishin mobilizuar sot në të gjitha rrugët kryesore të kryeqytetit dhe në stacionet e trenave. Policia përdori sërish gazin lotsjellës në përpjekje për të ndalur marshimin e “jelekëve të verdhë” dhe autoritetet njoftuan se gjatë paradites u arrestuan 60 protestues.

Në Paris pati një prezencë të fortë të policisë që në orët e para të ditës, ndërsa zhvillohej protesta e “jelekëve të verdhë”. Autoritetet bënë thirrje në mënyrë të përsëritur për qetësi, pas protestave të dhunshme të fundjavave të mëparshme.

Policia vendosi njësitë e saj në të gjitha stacionet e trenave dhe ngriti pika kontrolli përgjatë rrugëve kryesore. Megjithatë, qindra protestues filluan të marshojnë që në mëngjes drejt Champs Elysees.

“Mendoj se Macron është i shkëputur nga realiteti i kërkesave të ‘jelekëve të verdhë’. Mendoj se duhet të vazhdojmë të ngremë zërin, pasi tani që edhe bashkitë kanë mbyllur dyert, këtu mbetet i vetmi vend ku mund të dëgjohet zëri i popullit francez”, thotë Julie Verrier, protestuese nga Picardie.

“Po luftoj për të gjallët, për popullin, dhe jo për kuletën. Sepse mendoj se kjo botë është e kalbur dhe korruptuar. Macron mund të thotë çfarë të dojë, por ai ka marrë fund tashmë... Është një manipulator. I ka mësuar mirë frazat për fjalimet e tij. Nuk ka asnjë gram sinqeriteti. Prandaj nuk e duam”, thotë Sylvain Rabant, protestues nga Haute-de-Savoie.

Policia u përpoq të bllokonte lëvizjen e protestuesve, të mbledhur fillimisht në Harkun e Triumfit, drejt bulevardit qendror Chams Elysees. Të gjitha dyqanet përgjatë bulevardit të famshëm janë tashmë të mbyllura dhe dritaret janë mbuluar për t’u mbrojtur nga protesta. Autoritet njoftuan se të paktën 8 mijë policë dhe autoblinda të shumta ishin dislokuar në rrugët e kryeqytetit. Edhe sot policia u pa të përdorte gazin lotsjellës dhe njësitë e ndërhyrjes së shpejtë u panë duke shpërndarë protestuesit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG