Lidhje

Shqetësim pas të dhënave të fundit mbi ekonominë turke


Prodhimi industrial i Turqisë ka rënë në nivelin më të ulët të nëntë viteve të fundit, sipas shifrave të sapopublikuara. Të dhënat janë pjesë e statistikave të publikuara të hënën që flasin për rezultate ekonomike negative, ndërkohë që vendi është nën ndikimin e rënies së ndjeshme të lirës.

Instituti turk i Statistikave tha se prodhimi industrial në muajin tetor shënoi një rënie prej 5.7 për qind në krahasim me vitin e kaluar. Kjo pasoi një rënie prej 2.4 për qind në shtator. Të dhënat e fundit i kapën në befasi shumë institucione financiare ndërkombëtare.

Papunësi në rritje

Sipas statistikave të fundit, shkalla e papunësisë ka arritur mbi 11 për qind. Mes të rinjve, papunësia është mbi 21 për qind. Që nga fillimi i vitit, numri i të papunëve është rritur nga 3 milion në gati 3.8 milion.

Ekonomia turke është tronditur nga rënia e lirës, e cila ka humbur gati një të tretën e vlerës. Kjo rezultoi në një rritje të inflacionit në më shumë se 20 për qind, duke detyruar bankën qendrore të rritë normat e interesit në 24 për qind.

Për Turqinë nuk janë të panjohura goditjet ekonomike të shkaktuara nga rënia e mprehtë e monedhës. Në të kaluarën, ekonomia, pas një recesioni të rëndë, zakonisht është rimëkëmbur shpejt. Por analistët paralajmërojnë se këtë herë mund të jetë ndryshe.

Gjatë 15 viteve të fundit të bumit ekonomik, kompanitë turke shfrytëzuan normat e ulta të interesit në botë dhe morën shumë hua, si në monedhën vendase ashtu edhe në ato të huaja. Tani që Turqia parashikohet të përballet me një recesion të dhimbshëm, analistët paralajmërojnë se borxhi i kompanive po bëhet një problem i madh për bankat e vendit.

Erdogan përjashton ndihmën

Si rezultat i kësaj, bankat nuk mund të japin kredi të reja, thonë ekspertët, të cilët shtojnë se ky është një rreth vicioz nga i cili nuk ka rrugëdalje.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka përjashtuar ndihmën e FMN-së. Analistët thonë se zoti Erdogan do të ngurrojë të kërkojë ndihmë ndërkombëtare, sepse dhënia fund e varësisë së Turqisë nga mbështetja e FMN-së konsiderohet si një nga arritjet e tij më të rëndësishme.

Por tani që Turqia ndodhet përballë recesionit, analistët paralajmërojnë se Partia AKP e Erdoganit përballet me një betejë të vështirë për zgjedhjet vendore të marsit, për kontrollin e qyteteve kryesore.

Qytetet e mëdha të Turqisë janë të vetmet ku partitë e opozitës mund të ushtrojnë pushtet. Zoti Erdogan i ka shpallur zgjedhjet lokale një përparësi në politikat e tij. Analistët thonë se banka qendrore e Turqisë mund të përballet me një presion në rritje nga Presidenti për të ulur normat e larta të interesit që arrijnë në 24 përqind, me qëllim që të lehtësohet dhimbja ekonomike në prag të zgjedhjeve të marsit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG