Lidhje

Dy të arrestuar për dronet në aeroportin Gatwick


Passengers wait in the South Terminal building at Gatwick Airport, after the airport reopened to flights following its forced closure because of drone activity, in Gatwick, Britain, Dec. 21, 2018.

Policia britanike ka arrestuar një burrë dhe një grua për sulmet me dron që ndërprenë për tre ditë operacionet në aeroportin Gatwick.

Nuk janë bërë të ditur informacione të mëtejshme për të ndaluarit.

Një deklaratë e policisë në Sussex njoftoi se arrestimet u bënë gjatë orëve të vona të së premtes.

Në deklaratë thuhet se hetimet janë ende në vazhdim dhe se ndërkohë po përdoren një sërë taktikash për të rritur vigjilencën dhe për të shmangur sulme të tjera me dronë.

Mbyllja e pistës të aeroportit të dytë më të madh të Britanisë për shkak të dronëve anulloi fluturimet dhe udhëtimet e qindra mijëra pasagjerëve.

Aeroporti Gatwick u mbyll pasi u pikasën dronët e parë në orët e vona të së mërkurës dhe u rihap pjesërisht të premten. Aeroporti u rimbyll sërish pasditen e së premtes pasi u njoftuan se ishin parë dronë të tjerë në fluturim.

Shefi i policisë në Sussex, Justin Burtenshaw, tha se numri i fluturimeve të dronëve ka qenë i paprecendentë.

I vendosur 45 kilometra në jug të Londrës, aeroporti Gatwick është aeroporti i dytë më i madh i Britanisë. Mbyllja e tij ndikoi edhe tek fluturimet drejt aeroportit qendror të Londrës, Heathrow, si dhe drejt destinacioneve të tjera në Evropë.

Përmes aeroportit Gatwick udhëtojnë çdo vit rreth 43 milionë pasagjerë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG