Lidhje

Rama, edhe ministër i Jashtëm


Në Shqipëri, kryeministri Rama njoftoi sot se do të jetë ai vetë që do të mbulojë dhe detyrën e ministrit të ri të Jashtëm të vendit. Vendimi i tij vjen pasi javën e shkuar presidenti Ilir Meta refuzoi të emëronte kandidaturën e zotit Gent Cakaj. Një veprim që për qeverinë “është antikushtetues”, sikundër dhe mos shkarkimi i ministrit në detyrë Ditmir Bushati. Për të dy rastet, kryeministri Rama, u shpreh sot përmes një postimi në Twitter, se do t’i drejtohet Gjykatës së re Kushtetuese.

Aktualisht Gjykata është jashtë funksionit duke qenë se ka mbetur vetëm me një anëtar, Vitore Tushen, pasi të tjerët, një pjesë kishin dhënë më parë dorëheqjen, ndërsa një pjesë, përfshirë dhe kryetarin Bashkim Dedja, u rrëzua gjatë procesit të rivlerësimit.

Kompletimi i Gjykatës Kushtetuese me anëtarët e rinj do të dojë së paku disa muaj. Deri atëherë, siç nënvizon në postimin e tij, kryeministri Rama do të jetë “ de jure në këtë rol sepse s'kemi kohë për të humbur në kërkim të Presidentit”.

Përveç kërkesës për emërimin e tij, zoti Rama mësohet të ketë dërguar në presidencë dhe kërkesën e re për shkarkimin e zotit Bushati. Në këtë mënyrë duket se kapërcehet ngërçi i krijuar, ndonëse bëhet fjalë për një zgjidhje të përkohshme.

Vendimi i zotit Meta, shkaktoi një përplasje të fortë mes tij dhe kreut të Qeverisë. Në fundjavë, përmes një postimi në Facebook, zoti Meta u shpreh se “sot, në momente të rëndësishme të sfidave tona rajonale, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë nuk mund të kthehet në autoshkollë ku ustai i madh kërkon të mësojë “gjeniun” si të ndryshojë kufijtë e të gjithë Ballkanit Perëndimor”. Sipas presidentit, Partia socialiste por dhe vendi kanë kapacitete dhe diplomatë të sprovuar të cilët mund të drejtojnë politikën e jashtme të vendit, duke venë në dukje në këtë mënyrë moshën e re dhe mungesën e përvojës së zotit Cakaj.

Kryeministri nga ana e tij, u përgjigj përmes një postimi në Twitter duke shkruar se nuk do të merret më me “një pengmarrës të Kushtetutës në zyrën e Presidentit”, ndërsa shtoi se “Gjykata e re Kushtetuese do t'i japë fund kësaj maskarade”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG