Lidhje

Balili në pranga, i dorëzohet policisë


Në Shqipëri, një nga emrat më të lakuar të botës së krimit, Klement Balili u dorëzua sot pranë autoriteteve policore shqiptare, duke përfunduar kështu në pranga pas më shumë se dy vitesh, përgjatë së cilave ai i ishte fshehur drejtësisë.

Klement Balili dorëzohet në polici
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:53 0:00

Balili konsiderohet si një prej trafikantëve më të mëdhenj të drogës në Ballkan, ndërsa rrjeti i drejtuar prej tij mësohet se vepronte dhe në disa shtete europiane, kryesisht në Greqi.

"Zëri i Amerikës" ka mësuar se prej gati një viti policia shqiptare, përveç veprimeve operative, kontrolleve në banesa apo mbajtjes nën mbikqyrje të familjarëve kishte nisur bisedimet dhe me familjarët, duke nxitur dorëzimin e Balilit pranë autoriteteve.

Këto bisedime mësohet se janë drejtuar nga kreu i Policisë shqiptare Ardi Veliu. Eshtë pikërisht zoti Veliu personi të cilit Balili iu dorëzua sot rreth orës 8.45 minuta në një zonë mes Sarandës dhe Finiqit.

Ai ka qenë i shoqëruar nga dy familjarët të tij, personat që kanë bërë dhe ndërmjetësimin për dorëzimin. Ka qenë po Drejtori i Policisë Veliu, ai i cili e ka sjellë Balilin në Tiranë.

Duke njoftuar ngjarjen ministri i brendshëm Sandër Lleshaj tha se “policia shqiptare ka finalizuar sot një operacion të gjatë, të ndërlikuar dhe shumë të rëndësishëm, për dorëzimin e Klement Balilit, pas një procesi operativo-gjurmues, në bashkëpunim me shërbimin sekret shqiptar dhe me partnerët tanë”.

Dorëzimi i tij vjen pikërisht në kohën kur dhe Prokuroria për Krimet e Rënda sapo ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar dosjen për gjykim. Ai akuzohet për “trafikim të lëndëve narkotike”, i kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “pjesëmarrje në grupin e strukturuar kriminal”, “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurive”, si dhe për “pastrim parash”.

Emri i Balilit doli gjatë një hetimi, i cili u finalizua në fillim të muajit maj të vitit 2016, me një operacion të ndërmarrë nga autoritetet greke në bashkëpunim me DEA-n amerikane, ku u sekuestruan mbi 670 kilogram marijuhanë në ishullin Zakintos në Greqinë lindore.

Në këtë operacion u përfshi dhe policia shqiptare si dhe autoritetet e disa vendeve të Bashkimit Europian, ku dyshohet të ketë shtrirë rrjetin e trafikut organizata, një prej krerëve të së cilës dyshohet të jetë Klement Balili, i përkufizuar nga mediat greke si “Eskobari i Ballkanit”.

Një numër i madh anëtarësh dhe drejtuesish të organizatës u arrestuan në Greqi dhe në disa vende të tjera europiane, ndërkohë që Balili vetë mundi të shpëtojë.

Fillimisht ai u shfaq publikisht në Sarandë, duke mohuar akuzat, ndërsa më pas u zhduk pa lënë gjurmë. Mes institucioneve shqiptare pati një ping pong të gjatë të hedhjes së përgjegjësisë, me policinë e cila deklaroi se kishte kërkuar urdhër arresti nga prokuroria, ndërkohë që kjo e fundit, kishte shpjeguar se nuk mund të vepronte përsa kohë nga hetimi nuk kishin dalë prova për veprimtari të paligjshme në Shqipëri, e se për këtë arsye ishin kërkuar materiale nga pala greke.

Dosja për Balilin nga Greqia mbërriti në fund të vitit të shkuar, dhe policia organizoi gjatë muajit dhjetor disa operacione për kapjen e tij, të cilat rezultuan të pasuksesshme.

Që në momentet e para, rasti Balili u vesh me dyshime të forta. Mediat greke si CNN grek në atë kohë hyri në polemika me ambasadën shqiptare në Athinë pasi botoi një shkrim, në të cilin duke iu referuar burimeve të autoriteteve greke, theksonte se oficerë të policisë shqiptare u kishin deklaruar partnerëve greke gjatë një takimi sekret në Shqipëri se “baronin shqiptar” nuk mund ta arrestonin për shkak se ai kishte mbrojtje politike ne Tiranë.

Balili ishte drejtor i Drejtorisë rajonale të Transportit në Sarandë, i emëruar në 2014. Njëri nga nipat e Balilit ishte zgjedhur në atë kohë kryetar i Bashkisë së Delvinës, në jug të vendit, nën siglën e LSI-së, ndërsa një vëlla i tij ka qenë gjithashtu koordinator i LSI-së po në jug të vendit.

Vëllezërit Balili kanë patur aktivitete të shumta tregtare që nga transporti te ato të sigurisë së objekteve, apo peshkimit.

Ndërsa në 2015 inauguruan një investim mjaft të shtrenjtë duke kthyer ish Kampin e punëtorëve në Sarandë në një hotel luksoz. Në ceremoninë e organizuar në muajin gusht, morën pjesë dhe zyrtarë të lartë shtetërorë. Vitin e shkuar, ndaj pasurive të tij u vendos sekuestro.

Arrestimi i Klement Balilit u vlerësua si një provë e rëndësishme për autoritetet shqiptare nga ish-ambasadori amerikan Donald Lu, i cili në disa fjalime publike e përmendi emrin e tij në shenjë ilustrimi për sfidat e Shqipërisë në fushën e rendit dhe sigurisë publike.

SHBA përgëzoi sot Policinë e Shtetit dhe agjencitë ligjzbatuese partnere për arrestimin e trafikantit ndërkombëtar të drogës, Klement Balili. “Ky shënon një hap të madh për popullin shqiptar në rrugën drejt sundimit të zbatimit të ligjit, dhe shërben si një përparim i prekshëm drejt hapjes së bisedimeve me BE-në. Ne mirëpresim një hetim dhe gjyq të shpejtë dhe të plotë. Shtetet e Bashkuara qëndrojnë të gatshme për të ndihmuar Shqipërinë në përpjekjet e saj në luftën kundër krimit të organizuar” - deklaroi ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, duke shënuar në fund lajtmotivin “Kush e ka Rradhë”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG