Lidhje

Presidenti Trump pret një zyrtar të lartë koreanoverior


Presidenti Donald Trump takoi të premten në Shtëpinë e Bardhë të dërguarin kryesor të çështjeve bërthamore të Koresë së Veriut, për të diskutuar rreth përpjekjeve që po bën Pheniani për të hequr dorë nga programi i tij bërthamor.

Në një deklaratë të sekretares së Shtypit të Shtëpisë së Bardhë Sarah Sanders thuhej se Presidenti Trump dhe Kim Yong Chol, do të diskutonin “mbi marrëdhëniet mes dy vendeve si dhe përparimin e Phenianit drejt çarmatimit përfundimtar, e të verifikuar”.

Sipas njoftimeve, gjenerali Kim Yong Chol, ish-kryetar i Agjencisë së Zbulimit të Koresë së Veriut, i cili njihet si krahu i djathtë i udhëheqësit të Koresë së Veriut, do t’i dorëzonte Presidentit Trump një letër personale nga Kim Jong Un-i. Vizita e tij shton zërat se Uashingtoni dhe Pheniani mund të njoftojnë së shpejti mbajtjen e një takimi të dytë mes dy udhëheqësve.

Më herët të premten, Kim Yong Chol u takua me sekretarin e Shtetit Mike Pompeo në një hotel në Uashington. Qëllimi i takimit ishte rifillimi i negociatave rreth çarmatimit bërthamor, të cilat janë shtyrë për muaj me radhë për shkak të asaj që zyrtarët e SHBA-së thonë se është refuzimi i Phenianit për të përmbushur kërkesën e Uashingtonit për një inventar të detajuar të programit të tij bërthamor e raketor.

Zoti Pompeo nuk iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve rreth takimit.

Lidhur me takimin Trump-Kim ka mjaft spekulime. Mediat amerikane kanë cituar burime që thonë se takimi mund të zhvillohet rreth muajve mars ose prill dhe si vend i mundshëm për mbatjen e tij, diskutohet qyteti vjetnamez Da Nang.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG