Lidhje

HRW: Udhëheqësit autokratë përballen me rritjen e rezistencës


Organizata “Human Rights Watch” thotë se njerëz në mbarë botën po përballen me abuzime nga ana e autokratëve dhe po reagojnë ndaj populizmit jotolerant. Në raportin vjetor, organizata thotë se viti 2018 shënoi rritje të rezistencës ndaj tendencave autoritare në demokracitë perëndimore, si dhe në vendet që kanë patur tradicionalisht qeveri kontrolluese.

Qindra protestues marshuan drejt pallatit presidencial në kryeqytetin sudanez, Khartum të enjtën me thirrjet, “liri, paqe dhe drejtësi” duke

kërkuar dorëheqjen e Presidentit Omar al-Bashir. Bashir erdhi në pushtet me grusht shteti në vitin 1989 dhe sundon me dorë të hekurt. Ja si shprehet Kenneth Roth i organizatës Human Rigts Watch.

“Autokratëve u përshtatet shkelja e të drejtave të njeriut, sepse kështu ruajnë pushtetin dhe mbushin xhepat. Në këtë mënyrë ata shpërblejnë miqtë. Këto janë arsyet pse qeveritë duan të shkelin të drejat e njeriut.”

Organizata “Human RightsWatch” vëren se votuesit në Malajzi dhe Maldive rrëzuan kryeministrat e tyre të korruptuar. Kryeministri i Armenisë dha dorëheqjen mes protestave masive kundër korrupsionit. Nën presionin popullor, Etiopia zëvendësoi një qeveri abuzive me një kryeministër që ka ndërmarrë reforma të rëndësishme.

Sundimi me dorë të hekurt është më i vështirë në një demokraci perëndimore, por disa zhvillime globale, përfshi migracionin masiv,

kanë nxitur populizmin dhe ardhjen në pushtet të udhëheqësve autoritarë si Kryeministri Viktor Orban në Hungari dhe Presidenti Andrzej Duda në Poloni. Njerëzit në të dy vendet reaguan ndaj asaj që e panë si një sulm ndaj lirive. Në Shtetet e Bashkuara, thotë raporti, votuesit hodhën poshtë politikat e “frikësimit” nga Presidenti Donald Trump.

“Nëse shikoni në mbarë botën, kemi reagim popullor, madje edhe në Shtetet e Bashkuara. Zgjedhjet për Kongres ishin një qortim i madh ndaj politikave ndarëse të zotit Trump. Pra ky është reagim nga poshtë lart. Por kemi edhe reagim anasjelltas, si ushëheqës qeveritarë që vlerësojnë se “demokracia, të drejat e njeriut, zbatimi i ligjit janë të rëndësishme”, thotë zoti Roth.

Gjermania, Danimarka dhe Finlanda ndaluan shitjen e armëve Arabisë Saudite pas vrasjes së gazetarit saudit Jamal Khashoggi.

Por jo të gjitha lajmet janë të mira. Raporti thotë se në Kinë është thelluar abuzimi i të drejtave të njeriut, ku 1 milion myslimanë ujgurë janë vënë nëpër kampe të ashtuquajtura riedukimi.

“Nëse kjo do të bëhej nga një shtet tjetër, do të kishte reagime të ashpra. Por për shkak të ndikimit ekonomik, Kina ja ka dalë pa u dënuar”, thotë zoti Roth.

Organizata “Human Rights Watch” thotë se konfliktet në Siri, Jemen, Mianmar dhe gjetkë u mundësojnë sunduesve autoritarë të kryejnë mizori në shkallë të gjërë kundër popullsisë civile.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG