Lidhje

Raport i ri mbi programet bërthamore të Koresë së Veriut


Një raport i lëshuar të hënën nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS) në lidhje me një bazë raketore të Koresë së Veriut të pazbuluar më parë mund të ketë kapur në befasi disa vëzhgues të zhvillimeve të Koresë së Veriut. Por Nam Sung-wook, profesor në departamentin për Diplomaci, Siguri dhe Bashkim në Universitetin e Koresë, thotë se objekti i raketave Sino-ri ishte i njohur më parë nga shërbimet e inteligjencës së Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut.

"Vitin e kaluar, SHBA-ja bëri një raport për Sakkanmol dhe për Sino-rin këtë janar. Këto nuk janë zbulime të reja", thotë ai.

Raportet e lajmeve të Koresë së Jugut që datojnë në 1998, e pranojnë bazën Sino-Ri si një strukturë për raketat Nodong.

Raporti i CSIS deklaroi se një nga 20 bazat e padeklaruara të raketave balistike në Korenë e Veriut shërben si një strukturë e qendrës së raketave dhe "bazë operative e raketave Sino-ri dhe raketat Nodong të vendosura në këtë vend përshtaten në strategjinë e supozuar ushtarake bërthamore të Koresë së Veriut, duke ofruar aftësi të lartë bërthamore apo konvencional".

Kim Dong-yub, kreu i Zyrës së Kërkimit në Institutin për Studime të Lindjes së Largët (IFES) në Universitetin Kyungnam, shtoi: "Edhe pse Veriu nuk e ka shpallur bazën zyrtarisht, kjo nuk do të thotë se është e re. Asnjë shtet nuk njofton haptazi të gjitha bazat ushtarake."

Prof. Nam thekson se Shtetet e Bashkuara përqendrohen në detaje të vogla në lidhje me denuklearizimin, si çmontimi i raketave balistike ndërkontinentale (ICBMs) për të zvogëluar kërcënimin ndaj SHBA. "Për presidentin Trump, ai mund ta përdorë këtë për t’u mburrur për arritjen e tij gjatë takimit të dytë me presidentin Kim", thotë profesor Nam.

Implikimet për takimet e ardhëshme të Koresë së Veriut

Raporti i CSIS erdhi disa ditë pasi Shtëpia e Bardhë njoftoi se presidenti Donald Trump do të takohet me udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong Un në fund të shkurtit dhe se ai "shikon përpara" për bisedimet e denuklearizimit.

Në raportin e saj, CSIS thotë se baza e raketave Sino-ri nuk ishte shpallur më parë nga Pheniani dhe "nuk duket të jetë subjekt i negociatave për denuklearizim".

Duke folur për agjencinë e lajmeve Reuters, një nga autorët e raportit, Victor Cha, tha: "Koreano veriorët nuk do të negociojnë për gjërat që të tjerët nuk i zbulojnë. Duket sikur ata po bëjnë një lojë."

Profesor Nam vlerëson përqendrimin e Trump në bisedimet me presidentin Kim që ka të bëjë me eliminimin e kërcënimeve, si sistemi ICBMs.

"Është e vështirë të arrijmë denuklearizim të plotë, duke përfshirë edhe çmontimin e armëve nga e kaluara, të cilat mbeten fokusi në bisedimet e tashme dhe të ardhshme. Këto përfshijnë sistemin ICBMs dhe vendet e testimit të raketave", thotë profesor Nam.

Ai shton se Seuli nuk e konsideron objektin Sino-Ri si kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj Koresë së Jugut, duke përmendur Deklaratën e Phenianit të 19 shtatorit dhe përpjekjet koreano-veriore për të ulur tensionin në gadishull.

Kim Dong-yub thotë se raporti CSIS fokusohet shumë në një lidhje midis objekteve të raketave dhe denuklearizimin.

"Veriu njoftoi tashmë çarmatimin dhe morri disa hapa disa hapa, edhe pse disa kërkojnë verifikim. Pra, nuk është e përshtatshme për të gjykuar gatishmërinë e tyre nisur nga numri i bazave ushtarake që kanë", thotë Kim Dong-yub.

Ai thotë se disa grupe që kundërshtojnë bisedimet me Korenë e Veriut, mund të përpiqen të përdorin lajmet për ta shtyrë Phenianin për më shumë lëshime, por professor Kim shton se bisedimet e ardhshme midis Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut nuk duhet të përfshijnë këto lloje të objektesh të raketave, pasi mund të zvogëlojnë përparimin në fushën e çarmatimit.

Në një email në Zërin e Amerikës, Bruce Klinger, bashkëpunëtor i lartë kërkimor për Azinë Verilindore në Fondacionin Heritage, shkroi: "Gjatë një samiti të dytë, presidenti Trump duhet të këmbëngulë në hapa konkretë ndaj denuklearizimit të Koresë së Veriut, duke përfshirë një deklaratë me dhëna të programeve bërthamore dhe raketore të Phenianit. Zoti Trump nuk duhet të ofrojë më shumë lëshime dhe as të bjerë dakord të zvogëlojë sanksionet derisa presidenti Kim të bëjë më shumë sesa vetëm gjeste simbolike që ka bërë deri tani ".

Shtëpia e Bardhë nuk ka komentuar mbi raportin e CSIS dhe as Uashingtoni e as Pheniani nuk kanë njoftuar zyrtarisht datën ose vendin etakimit të dytë të nivelit të lartë midis SHBA-së dhe Korenë e Veriut, edhe pse disa spekulojnë se mund të mbahet në Vietnam.

Përveç kësaj, raportet e medias lokale në Korenë e Jugut kanë treguar se administrate e presidentit Moon, mund të tentojë të presë presidentin Kim në Seul gjatë 100 vjetorit të lëvizjes së pavarësisë më 1 mars.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG