Lidhje

Kancelarja Merkel, thirrje për bashkëpunim në Davos


Kancelarja gjermane Angela Merkel bëri një thirrje të fuqishme për bashkëpunim ndërkombëtar dhe kompromis në një epokë populizmi gjatë fjalimit të saj sot në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës. Forumi po zhvillohet mes anktheve mbi mosmarrëveshjet tregtare, Brexit-in dhe një ngadalësim të rritjes ekonomike, që disa analistë janë të shqetësuar se mund të tronditë ekonominë botërore.

Kancelarja gjerman Angela Merkel i doli në mbrojtje të fuqishme multilateralizmit, duke vlerësuar kompromisin si një virtyt në marrëdhëniet ndërkombëtare, në një kritikë të heshtur ndaj presidentit amerikan Donald Trump.

Në fjalimin drejtuar udhëheqësve politikë dhe të biznesit në Davos, zonja Merkel u bëri thirrje autoriteteve perëndimore të mendojnë përtej interesave të ngushta kombëtare dhe të reformojnë institucionet globale me synimin për arritjen e rezultateve "të favorshme" për të gjithë.

"Mendoj se interesat tona kombëtare, duhet t'i kuptojmë në mënyrë të atillë që gjithmonë të kujtojmë se edhe të tjerët kanë gjithashtu interesat e tyre, që duhet t’i marrim parasysh dhe pastaj të formojnë një situatë të favorshme për të gjithë në politikën ndërkombëtare", tha kancelarja Merkel.

Gjermania, ekonomia më e madhe e Evropës, është shumë e varur tek tregtia ndërkombëtare dhe si e tillë ka një interes të madh të ruajë integritetin e sistemeve multilaterale globale që janë përballur tani me qasjen "Amerika e Para" nga presidenti Trump.

Delegatët në Davos përshëndetën një premtim të bërë nga kryeministri japonez Shinzo Abe të mërkurën për ta vënë tregtinë dhe ndryshimet klimatike në krye të rendit të ditës së G20, kur Japonia të marrë kryesimin e grupit. Fjalimi i tij në Forumin Ekonomik Botëror në Alpet Zvicerane ishte i rëndësishme në një kohë kur një mosmarrëveshje tregtare e hidhur mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës është një nga disa faktorë që kërcënojnë të sjellin një ngadalësim të mprehtë në rritjen ekonomike globale.

Disa udhëheqës botërorë qëndruan larg, përfshirë Presidentin amerikan, Donald Trump, i cili është duke u ballafaquar me mbylljen më të gjatë të qeverisë në historinë e vendit. Por Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, foli hapur për ankthet lidhur me një mosmarrëveshje tregtare me Kinën gjatë një video konference.

"Ka nga ata që thonë se konflikti i superfuqive mes dy vendeve tona është i pashmangshëm. Ne nuk e shohim në këtë mënyrë. Ne dëshirojmë të gjejmë fusha ku mund të punojmë së bashku", tha sekretari Pompeo.

Pompeo theksoi se bashkëpunimi mes dy vendeve mund të funksionojë vetëm nëse plotësohen disa kushte.

"Tregëtia të jetë e lirë dhe e hapur, vendet të kenë mundësi që t’i çojnë mallrat e tyre në mbarë botën, marrëveshjet të jenë të drejta dhe reciproke ku çdo vend të ketë mundësi të konkurrojë në një bazë të drejtë, transparente dhe të hapur".

Ndërsa rritja ekonomike po ngadalësohet, organizata Oxfam paralajmëroi elitën e Davosit se pabarazia e të ardhurave në mbarë botën nuk po ndjek të njëjtën prirje.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG