Lidhje

Takim Putin-Erdogan në Moskë


Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin u takuan në Moskë për të biseduat mbi Sirinë. Vizita vjen ndërsa forcat turke pritet të ndërmarrin një operacion masiv ushtarak kundër milicisë kurde siriane dhe pas njoftimit të Shteteve të Bashkuara për tërheqjen nga Siria.

Në fillim të takimit të tyre në Kremlin, zoti Putin e quajti homologun e tij Erdogan “mik të dashur”, duke thënë se vendet e tyre “punojnë për çështje të sigurisë rajonale dhe bashkëpunojnë në mënyrë aktive për Sirinë”.

Presidenti turk përdori të njëjtin term për zotit Putin dhe tha se “solidariteti ynë jep një kontribut me peshë tek siguria e rajonit”.

Retorika e ngrohtë vjen me gjithë faktin që dy udhëheqësit kanë qëndrime të kundërta për konfliktin sirian: Rusia mbështet qeverinë siriane, ndërsa Turqia ka mbështetur grupet rebele që luftojnë kundër forcave të Presidentit Bashar al-Assad

Ankaraja i konsideron YPG-në dhe afiliatin e saj politik PYD, organizata terroriste të lidhura me kryengritjet brenda Turqisë.

Ankaraja dhe Moska mbështesin palë rivale në luftën civile siriane dhe ky pozicionim në anë të kundërta solli si rezultat goditjen nga avionë turq të një bombardieri rus në vitin 2015.Që në atë kohë, dy presidentët kanë bashkëpunuar gjithnjë e më shumë në përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit.

Ata kanë pasur shtatë takime kokë më kokë në vitin 2018 dhe 18 telefonata për të diskutuar lidhjet dypalëshe, veçanërisht për Sirinë.

Zoti Putin hapi dritën jeshile për dy operacione ushtarake turke kundër YPG-së, që solli si rezultat që një zonë e gjerë në Siri të vendosej nën kontrollin e Ankarasë.

Megjithatë sipas njoftimeve, një delegacion i lartë turk që vizitoi Moskën në dhjetor, nuk arriti të sigurojë mbështetjen për operacionin e fundit të planifikuar kundër YPG-së në Siri.

Ndikimi i Moskës lidhur me YPG-në dhe PYD-në është rritur me vendimin e Presidentit amerikan Donald Trump muajin e kaluar për t’u tërhequr nga Siria dhe për t’i dhënë fund mbështetjes ushtarake amerikane për milicinë në luftën kundër Shtetit Islamik.

Uashingtoni u kishte bërë thirrje vazhdimisht forcave siriane kurde që të mos pranonin të bënin marrëveshje me Damaskun dhe Moskën.Analistët vënë në dukje se me tërhqjen e Shteteve të Bashkuara, YPG dhe PYD kanë pak alternativa përveç aleancës me Damaskun, në kushtet kur forcat turke janë grumbulluar përtej kufirit.

Zoti Putin është gjithashtu i vetëdijshëm se vendimi i zotit Trump për t’u tërhequr nga Siria, i mohon atij një kartë të rëndëssishme në përpjekjet për ta larguar zotin Erdogan nga aleati i tij tradicional i NATO-s.Mbështetja e Uashingtonit për YPG-në, që konsiderohen terroristë nga Ankaraja, ka dëmtua marrëdhëniet dypalëshe.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG