Presidenti amerikan Donald Trump tha të mërkurën se mezi pret të mbajë fjalimin për gjendjen e vendit në Kongres siç është caktuar më 29 janar, megjithë kërkesën e kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi që ta shtyjë atë për shkak të mbylljes së pjesshme të qeverisë.
"Do të ishte diçka tepër e trishtueshme për vendin nëse fjalimi për gjendjen e vendit nuk do të mbahej në kohën, orarin dhe sidomos në vendin e duhur,” shkruante Presidenti Trump në një letër drejtuar zonjës Pelosi, të publikuar nga Shtëpia e Bardhë.
Më 16 janar, zonja Pelosi i kërkoi Presidentit Trump që të shihte mundësinë e shtyrjes së fjalimit, i cili tradicionalisht mbahet në sallën e Dhomës së Përfaqësuesve. Arësyeja e dhënë prej saj ishin shqetësimet për sigurinë, meqenëse një pjesë e personelit të sigurisë nuk punon për shkak të mbylljes së pjesshme të qeverisë prej një muaji.
Por Presidenti Trump, në përgjigjen për zonjën Pelosi nuk u kushtoi rëndësi këtyre shqetësimeve.
Ai shkruante se Departamenti i Sigurisë Kombëtare dhe Shërbimi Sekret i kishin thënë se nuk do të kishte "absolutisht asnjë problem” sigurie për fjalimin, që tradicionalisht mbahet përpara të dyja dhomave të Kongresit, dhe ku marrin pjesë shumica e kabinetit, Shefat e Shtatmadhorisë dhe anëtarët e Gjykatës së Lartë.
Facebook Forum