Lidhje

Galeria e Portreteve përfshin vepra të reja në koleksion


Galeria e portreteve në Uashington
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:56 0:00

Gjatë 50 vjetëve të fundit, Galeria Kombëtare e Portreteve, pjesë e sistemit muzeal Smithsonian, ka rrëfyer historinë e Amerikës përmes portreteve të individëve që kanë ndikuar për t’i dhënë trajta historisë dhe kulturës së vendit. Galeria përfshiu në koleksionin e saj 28 vepra të reja në përpjekje për të rrëfyer një histori më komplekse dhe më të larmishme të Shteteve të Bashkuara. Ekspozita e re përfshin bejbollistin e njohur, Alex Rodriguez (A-Rod) dhe ish-Zonjën e Parë, Jacqueline Kennedy si dhe hedh dritë mbi disa “figura të fshehura”. Korrespondentja Julie Taboh ka përgatitur materialin:

Galeria e Portreteve në Uashington e pasuron çdo vit koleksionin e saj duke blerë vepra të reja.

Ann Shumard, kuratore për fotografinë në galeri, thotë se veprat që u zgjodhën sivjet përfaqësojnë një numër fushash të kontributit njerëzor:

“Kemi marrë piktura, gravura, fotografi e skulptura. Vërtetë një koleksion i larmishëm”.

Një ndër portretet ka si subjekt astronomin Edwin Hubble. Teleskopi hapsinor Hubble u pagëzua në nderim të tij.

"Ai ishte një ndër astronomët më të shquar të shekullit të 20-të. Në portret ai shihet duke parë me një teleskop të vitit 1949. Ky teleskop u përdor për të vrojtuar qiellin verior, duke ofruar një studim fotografik të hapësirës së vrojtuar”.

Në koleksion është përfshirë edhe një fotografi e Maurice Sendak, autor dhe ilustrues i librave të dashur për fëmijë.

"Që në moshë të vogël atij i pëlqente të lexonte dhe të pikturonte dhe kjo dëshirë më vonë u shndërrua në karrierë”.

Ekspozita përfshin edhe portrete të disa afrikano-amerikanëve të shquar të viteve të fundit, si personaliteti i medias, Oprah Winfrey, e njohur për emisionin e saj shumë të suksesshëm televiziv, The Oprah Winfrey Show….drejtoresha e teatrit dhe producentja Ellen Stewart, e cila themeloi një kompani të teatrit eksperimental…dhe kompozitori George Walker, i nderuar me çmimin Pulitzer, i pari afrikano-amerikan që interpretoi me orkestrën e Filadelfias, në një kohë kur ndarja racore nuk u ofronte mundësi të tilla afrikano-amerikanëve.

“Shohim dy imazhe të tij, një pranë pianos në shtëpi dhe tjetri tregon duart e tij kur po kompozonte Simfoninë Nr. 5 e cila do të prezantohet para publikut botëror vitin e ardhshëm,” shpjegon kuratorja.

Ka edhe figura nga komuniteti latino-amerikan, shpjegon Taína ((ta-EENAH)) Caragol, kuratore e Pikturës, Skulturës dhe Historisë e Artit Latin në galeri.

“Kemi një fotografi të mrekullueshme me ngjyra të mbretëreshës së muzikës salsa Celia Cruz nga Alexis Rodriguez-Duarte dhe Tico Torres. Kemi dy portrete shumë të bukura të Rodolfo Acuña, babai i studimeve mbi kulturën meksikane në Shtetet e Bashkuara si dhe të muzikantit Louie Pérez i grupit Los Lobos të realizuara nga Harry Gamboa, Jr. Po ashtu kemi edhe portrete shumë të bukura të bejsbollistëve, ku përdoret teknika e siluetës, të autorit Freddy Rodriguez; një portret i bejsbollistit Alex Rodriguez, i ekipit Yankees, dhe të Big Papi -- David Ortiz i ekipit Red Sox,” shpjgon kuratorja Caragol.

“Shpresoj se njerëzit do të shohin personazhe që i njohin, si Oprah, por edhe figura që mund të mos i kenë njohur mirë, por u lind kureshtja të mësojnë më shumë për biografinë e kontributin e tyre,” thotë kuratorja Shumard.

Këto vepra të reja që u shtohen mbi 23,000 veprave të koleksionit aktual në Galerinë e Portreteve, do të jenë në ekspozim për publikun deri në nëntor 2019.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG