Lidhje

Dy raporte të reja për kërcënimin bërthamor të Koresë së Veriut


Këtë muaj dolën dy raporte të reja, ku theksohej kërcënimi nga programi i armëve bërthamore të Koresë së Veriut. Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë ka plane për një tjetër takim mes Presidentit amerikan Donald Trump dhe udhëheqësit koreanoverior Kim Jong Un. Ekspertët paralajmërojnë që ky takim duhet të jetë me më tepër substancë se sa i pari.

Kërcënimi nga programi bërthamor i Koresë së Veriut është më real se kurrë. Një raport i ri i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare përmend me këtë rast Sino-ri-n, një objekt bërthamor 200 kilometra në veri të zonës së çmilitarizuar me Korenë e Jugut dhe një prej 20 bazave të raketave të padeklaruara nga Pheniani.

"Kjo tregon se programi i raketave balistike i Koresë së Veriut dhe ai i armëve bërthamore është shumë më kompleks e i përhapur dhe ndoshta publiku e di këtë. Raporti i ri përforcon gjetjet e raportit tjetër për mbrojtjen nga raketat të qeverisë amerikane, të publikuar një javë më parë," - thotë Lisa Collins bashkautore e raportit.

Më 18 janar, Shtëpia e Bardhë njoftoi se Presidenti Trump dhe udhëheqësi koreanoverior Kim Jong Un do të takohen përsëri muajin e ardhshëm.

"Kim Jong Un, ashtu sikurse dhe unë, e presim me kënaqësi takimin. Ne kemi arritur shumë përparim, gjë që nuk është njoftuar nga media."- tha Presidenti Trump.

Por shumë ekspertë nuk janë të bindur se është arritur përparim nga koha kur të dy udhëheqësit u takuan në Sinagapor qershorin e kaluar.

"Kemi vizionin e rivendosjes së marrëdhënjeve miqësore, por që nuk shoqërohet me rezultate konkrete. Duhet patur një proces që t'i ketë të dyja këto element,"- thotë Scott Snyder, i Këshillit për Marrëdhënie me Jashtë.

Takim i parë Trump - Kim vërtet bëri bujë, por ai solli vetëm disa deklarata të përgjithshme për çnuklearizimin. Ekspertët thonë se takimi i dytë duhet të rezultojë të paktën në një proces të verifikueshëm drejt çnuklearizimit dhe pakësimit të tensioneve.

"Në një situatë ideale, Shtetet e Bashkuara duhet të kërkonin një listë të qëndrave bërthamore të Koresë së Veriut, të të gjitha objekteve ku ata prodhojnë material bërthamor, si dhe bazat e raketave të Koresë së Veriut," - thotë zonja Collins.

Kjo qasje do të shoqërohej me një inspektim të hollësishëm të objekteve bërthamore, për të cilin Pheniani nuk ishte dakord, nga frika se kjo do ta bënte vendin të cënueshëm nga një sulm ushtarak amerikan. Pheniani po ashtu kërkon që sanksionet të lehtësohen, diçka që Uashingtoni nuk dëshiron ta bëjë.

Kritikët thonë se një takim i dytë Trump - Kim me pak rezultat do të ishte i dëmshëm.

"Në se ndodh, kjo do të thonte se Kim Jong Un ka për të qenë ai që është dhe ne e pranojmë atë para botës si udhëheqësin e një shteti që ka armë bërthamore; pra do të jepnim sinjalin për vendet e tjera, se nuk ka problem të mbajmë kontakte me të."- thotë Scott Snyder, i Këshillit të Merrëdhënieve me Jashtë.

Kjo do të thotë se Koreja e Veriut do të pranohej si një fuqi bërthamore, pas tërheqjes në vitin 2003 nga traktati i vitit 1968 për mospërhapjen e armëve bërthamore. Ekspertët shqetësohen se edhe shtete të tjera mund të joshen që të kenë armë bërthamore.

Sipas medias koreanoveriore, zoti Kim ka thënë se ai ka besim tek "mënyra pozitive e të menduarit" e zotit Trump. Shtëpia e Bardhë tha se takimi dytë është në plan të mbahet në fund të shkurtit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG