Lidhje

Çfarë po ndodh në Venezuelë?


Pse vendi ka dy njerëz që pretendojnë të jenë president?

Udhëheqësi i legjislaturës së Venezuelës, Juan Guaido, e shpalli veten president më 23 janar, një sfidë e drejtpërdrejtë për fuqinë e presidentit Nicolas Maduro, i cili vetëm dy javë më parë kishte bërë betimin për një mandat të dytë.

Kush është Maduro?

Maduro, një socialist, ka qenë president i Venezuelës që kur u zgjodh për herë të parë në vitin 2013 pas vdekjes së mentorit dhe paraardhësit të tij, Hugo Chavez. Maduro fitoi zgjedhjet e para me një diferencë të vogël dhe u rizgjodh me zgjedhje të diskutueshme në maj 2018, ku

shumica e kandidatëve të opozitës u penguan të konkurronin ose bojkotuan garën.

Kush është Juan Guaido?

Guaido ishte një politikan relativisht i panjohur para se të zgjidhej nga ligjvënësit këtë muaj si kandidat kompromisi për të udhëhequr Asamblenë Kombëtare të mbajtur nga opozita. 35-vjeçari u zgjodh në Asamblenë Kombëtare më 2011 dhe ka qenë aktiv në protestat e rrugës kundër qeverisë së Maduros.

Pse situata politike është përshkallëzuar?

Pasi Maduro u betua në janar për një mandat të dytë, Asambleja Kombëtare argumentoi se zgjedhjet e majit 2018 nuk ishin të drejta dhe prandaj presidenca është e zbrazët. Guaido tha se në raste të tilla, kushtetuta i jep kryetarit të Asamblesë Kombëtare të drejtën për të marrë përsipër ushtrimin e funksionit të presidentit.

Cila ka qenë përgjigja e SHBA-së?

Presidenti Donald Trump zyrtarisht e njohu Juan Guaidon si presidentin legjitim të Venezuelës vetëm pak minuta pasi Guaido tha se po merrte detyrën si president në detyrë

Pse Trump vendosi të mos njohë Maduron?

Administrata Trump tha se kjo masë ishte e vetmja mënyrë për të rivendosur demokracinë në Venezuelë.

Sanksionet

Administrata Trump ka vënë gjithashtu sanksione mbi kompaninë shtetërore të naftës të Venezuelës, duke thënë se dëshiron të ruajë asetet për popullin venezuelian. Sekretari i Thesarit Stiven Mnuchin tha se Maduro dhe aleatët e tij e kanë përdorur për shumë kohë kompaninë shtetërore të naftës si një mjet për korrupsion dhe përvetësim.

Pse Venezuela ka dalë në krye të politikës së jashtme të presidentit Trump?

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë kanë thënë se zoti Trump është shumë i interesuar për situatën në Venezuelë. Pas betimit të Maduros këtë muaj dhe rifillimit të protestave të opozitës kundër tij, zyrtarët e administratës Trump e shfrytëzuan këtë mundësi për të mbështetur përpjekjet për të hequr Maduron nga pushteti.

Çfarë mendojnë aleatët e SHBA-së?

Disa vende kanë ndjekur shembullin e SHBA-së dhe kanë njohur Guaidon si president, duke përfshirë Kanadanë, Brazilin dhe Kolumbinë. Disa anëtarë të BE-së kanë thënë gjithashtu se do të njihnin Guaidon nëse Maduro nuk njofton zgjedhje të reja brenda tetë ditëve. Sekretari

amerikan i Shtetit Mike Pompeo u ka thënë anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së., "të zgjedhin një anë" në Venezuelë.

Ç'farë është duke bërë tani Maduro?

Maduro fillimisht urdhëroi mbylljen e ambasadës amerikane në Karakas dhe dëbimin e të gjithë diplomatëve amerikanë, por që pastaj u tërhoq. Ai gjithashtu ka hedhur poshtë ultimatumin nga një numër vendesh evropiane që ai të mbajë zgjedhje të reja brenda tetë ditëve.

Çfarë vjen më pas?

Guaido u ka bërë thirrje venezuelianëve të vazhdojnë demonstratat e tyre kundër Maduros derisa vendi të çlirohet. Ndërsa ai ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, Juan Guaido dhe Asambleja Kombëtare kanë pak fuqi në aspektin praktik për të marrë përsipër frenat e qeverisë.

Si po përshtatet ushtria?

Të dyja palët në mosmarrëveshjen politike konkurrojnë për mbështetjen e ushtrisë së Venezuelës. Deri tani, ushtria ka mbështetur në masë të madhe Maduron, i cili u ka dhënë atyre rritje të shpeshta pagash në vitet e fundit. Më shumë se 20 anëtarë të gardës kombëtare u shkëputën nga Maduro, kapën një arsenal armësh dhe u hodhën në rebelimim, por u mposhtën nga njësitë e tjera. Guaido ka premtuar një amnisti për të gjithë pjesëtarët e ushtrisë që braktisin Maduron.

Çfarë ka ndodhur me ekonominë e Venezuelës?

Inflacioni tani po shkon në 1.7 milion për qind - ushqimet dhe prodhimet bazë janë të pakta dhe shumica e venezuelianëve fitojnë më pak se 10 dollarë në muaj. Gjatë 20 viteve që Maduro dhe paraardhësi i tij Chavez kanë qenë në pushtet, prodhimi i naftës ka rënë me rreth një të tretën, duke zvogëluar burimet kryesore të të ardhurave për vendin. Politikat e qeverisë kanë ndihmuar në krijimin e mungesës së mallrave bazë, duke përfshirë ushqimin, karburantin dhe mjekësinë.

Çfarë do të thotë kriza për ‘venezuelianët?

Venezuelianët duhet të luftojnë me mungesa të ushqimit dhe ilaçeve, si dhe reduktime të rregullta të energjisë. Një nga vështirësitë më të mëdha në jetën e përditshme është hiperinflacioni, në të cilin çmimet e mallrave mund të dyfishohen brenda pak javësh, duke lënë njerëzit të paaftë të përballojnë ushqimin dhe nevojat e tjera.

Çfarë ka ndodhur me popullsinë e Venezuelës?

Sipas Kombeve të Bashkuara, më shumë se tre milionë venezuelanë janë larguar nga vendi që nga viti 2014. Një milion prej atyre që kanë ikur kanë përfunduar në Kolumbinë fqinje, ndërsa popullata të mëdha kanë emigruar në Peru, Shtetet e Bashkuara, Ekuador, Spanjë, Argjentinë, Kili, Brazil dhe Panama.

Ku po shkon ekonomia e Venezuelës?

Venezuela varet pothuajse tërësisht nga eksportet e naftës për valutë, kështu që sanksionet e reja të SHBA-së kundër kompanisë shtetërore të naftës të Venezuelës do të thonë se vendi do të jetë në gjendje të blejë edhe më pak importe, përfshirë ushqimin.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG