Lidhje

Populistët evropianë përgatiten për zgjedhjet e majit


FILE - Marine Le Pen, National Front (FN) political party leader, and former White House Chief Strategist Steve Bannon attend a news conference during the party's convention in Lille, France, March 10, 2018.

Nga Suedia në jug të Spanjës, nga Hollanda në Hungari, forcat populiste kanë dërguar deputetë në parlamente pas fitoreve në zgjedhje. Bashkimi Evropian po përgatitet për zgjedhje në maj dhe ka rrezik që balanca e forcave të zhvendoset dukshëm. Korrespondenti Henry Ridgewell njofton nga Londra se lëvizja populiste mishëron një numër kontradiktash dhe po ndeshet me konkurrencë në rritje.

Jelekët e verdhë vazhdojnë për të njëmbëdhjetën javë protestat në Francë. Në mes të kësaj atmosfere të ndezur po bëhen edhe përgatitjet për zgjedhjet e majit për parlamentin evropian.

Forcat populiste, të mbështetura nga energjia e protestave, duken të përgatitura për t’i bërë zgjedhjet e ardhshme të paharrueshme në historinë e bllokut, thotë analisti Michael Cottakis:

“Tani është mundësia për të shfrytëzuar rastin dhe për të siguruar ato politika që kërkon. Po shohim kulmin e një lëvizjeje populiste të vonuar, në përgjigje të një periudhe të gjatë vështirësish ekonomike”.

Udhëheqësja e ekstremit të djathtë në Francë, Marine Le Pen po përpiqet të bashkojë lëvizjen e saj me protestuesit me jelekë të verdhë.

“E ka kuptuar se nuk jemi të ligj, se kishim dalë në protesta pasi kishim mbetur pa bukë. Jemi të uritur, kemi ftohtë, kemi nevojë për para, por për fat të keq paratë u jepen të huajve,” thotë një protestuese.

Në mbarë Evropën, populistët po përpiqen për një goditje të bashkërenduar në zgjedhjet e majit. Ja si shprehet lidhur me protestat në Francë ministri i brendshëm italian, i cili i përket ekstremit të djathtë.

“Shpresoj që francezët të arrijnë të çlirohen nga një president shumë i keq. Do ta kenë mundësinë më 26 maj”.

Ministri Salvini po përpiqet të formojë aleanca me qeveritë në Hungari dhe Poloni. Të gjithë kanë identifikuar si armik të përbashkët imigracionin. Por ka një numër kontradiktash.

“Italia kërkon nga vendet e tjera që të pranojnë refugjatë. Hungaria e ka thënë prerazi se nuk do të pranojë,” thotë analisti Luigi Scazzieri.

Populistët evropianë janë të përçarë në një numër temash:

“Italia është anëtare e Eurozonës, por jo Polonia. Në politikën e jashtme, Polonia beson me forcë tek vlera e NATO-s pasi tmerrohet nga Rusia dhe nuk i zë besë Putinit, ndërsa Salvini e ka mbështetur haptazi,” thotë analisti Michael Cottakis.

Po marrin trajta kampet kundërshtare. Në Paris qindra protestues, me shalle të kuqe zhvilluan demonstrata duke iu kundërvënë jelekëve të verdhë me mesazhe pro-BE-së.

Në Hungari demonstratat anti-qeveritare kanë ardhur duke u rritur.

Në Gjermani, Partia e Gjelbër e ka kapur në anketa Alernativën për Gjermaninë që përfaqëson ekstremin e djathtë.

Populistët po zbulojnë se nuk janë të vetmit në protesta. Por prova e vërtetë do të zhvillohet më 26 maj në kutitë e votimit, kur rezultati i zgjedhjeve mund të zhvendosë balancën e forcave në Evropë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG