Lidhje

SHBA, pasojat politike nga mbyllja e qeverisë


House Speaker Nancy Pelosi of Calif., accompanied by Senate Minority Leader Sen. Chuck Schumer of N.Y., left, speaks at a news conference on Capitol Hill in Washington, Jan. 25, 2019, after President Donald Trump announces a deal to reopen the government

Në Uashington, negociatorët e kongresit filluan të mërkurën përpjekjet për të gjetur një kompromis për financimin e sigurisë kufitare, çështja që shkaktoi mbylljen e pjesshme të qeverisë federale për 35 ditë.

Negociatorët kanë kohë deri më 15 shkurt të gjejnë një zgjidhje ose rrezikojnë një mbyllje tjetër të qeverisë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Jim Malone njofton nga Uashingtoni.

Punonjësit e qeverisë janë rikthyer në punë në Uashington pas mbylljes më të gjatë në histori të qeverisë amerikane.

Agjencitë e prekura u rihapën pasi presidenti Trump dhe demokratët e opozitës ranë dakord të punojnë drejt një kompromisi për sigurinë e kufirit.

Presidenti Trump lëshoi një paralajmërim të ri në Twitter, duke thënë se çdo marrëveshje për buxhetin duhet të përfshijë fonde për ndërtimin e një muri në kufirin jugor, duke mbajtur një premtim që ai bëri javën e kaluar, pas rihapjes së qeverisë.

"Qeveria ose do të mbyllet më 15 shkurt, ose unë do të përdor kompetencat që më janë dhënë sipas ligjeve dhe Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara për të trajtuar këtë emergjencë".

Por duket se republikanët, përfshirë udhëheqësin e shumicës në senat, Mitch McConnell, nuk duan një tjetër mbyllje të qeverisë.

"Nuk më pëlqen mbyllja e qeverisë. Ajo nuk ndihmon askënd, dhe mendoj se duhet të shmanget", tha senatori Mitch McConnell, udhëheqës i shumicës republikane në Senat.

Sondazhet tregojnë se publiku kryesisht fajësoi Presidentin Trump dhe republikanët për mbylljen e pjesshme të qeverisë, që u theksua edhe nga demokratët si senatori Chuck Schumer.

"Shpresoj që ky do të jetë një mësim për Presidentin Trump dhe për të gjithë kolegët e mi republikanë, nuk duhet të ketë më mbyllje të qeverisë. Presidenti Trump preku një sobë tepër të nxehtë dhe shpresojmë se ai nuk do ta bëjë më këtë".

Disa sondazhe tregojnë se mbështetja për Presidentin Trump ka rënë në nivelin nën 40 për qind gjatë mbylljes së qeverisë, duke sugjeruar një dëmtim politik të mundshëm afatgjatë për Presidentin Trump.

"Duket se kemi një goditje, një lloj pikë kthese. Presidenti gjykoi gabimisht efektet e mbylljes së qeverisë tek njerëzit. Askush në Shtëpinë e Bardhë nuk e kuptoi sa i rëndësishëm ishte funksionimi i qeverisë federale për të gjithë ekonominë amerikane", thotë analistja e Institutit Brookings, Elaine Kamarck.

Disa përkrahës të Presidentit Trump shpresojnë se ai mori një mësim nga mbyllja e qeverisë dhe ata presin që ai të tërhiqet, përfshirë ish-guvernatorin Chris Christie.

"Ai është i patrembur si pakkush në politikë. Kjo është gjë e mirë. Por, kur vepron në mënyrë impulsive dhe pa plan, mbyllja e qeverisë nuk përfundon mirë".

Duke marrë parasysh mungesën e popullaritetit për mbylljen e qeversë, shumë përkrahës të Presidentit Trump presin që ai ta deklarojë emergjencë kombëtare gjendjen në kufirin jugor të vendit, për t’i hapur rrugën ndërtimin të murit, nëse Kongresi nuk arrin të gjejë një kompromis.

Premtimi i fushatës për ndërtimin e murit është shumë i rëndësishëm, thotë analisti John Fortier.

"Ishte një slogan i fushatës. Ai nuk dëshiron që kjo të shihet si kapitullim i plotë dhe kjo e bën shumë të vështirë kompromisin".

Nga ana tjetër, Presidenti Trump mund të dobësojë shpresat e tij të rizgjedhjes duke u përqendruar vetëm tek çështjet që kënaqin bazën e tij të mbështetësve, thotë analistja Elaine Kamarck.

"Ai nuk është përpjekur të zgjerojë bazën e tij në këto dy vite në detyrë. Kjo është një fatkeqësi për një president sepse nuk mund të shmangësh humbjen e mbështetjes nga një pjesë e bazës".

Mundësia e ardhshme më e mirë e Presidentit Trump për të shpalosur argumetet e tij për murin është fjalimi para dy dhomave të Kongresit mbi gjendjen e vendit që transmetohet drejtpërdrejt në kanalet televizive në mbarë vendin.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG