Lidhje

Arsyet e mbështetjes ruse për qeverinë e Nicolas Maduros


Në një kthesë dramatike lidhur me ngjarjet e javëve të fundit, Shtëpia e Bardhë tregoi se i ka sosur durimi me Nicolas Maduron, duke i bërë thirrje atij të largohet, si dhe duke njohur udhëheqësin e opozitës Juan Guaido si kreun legjitim të Venezuelës. Administrata Trump vendosi sanksione ndaj kompanisë shtetërore të naftës “PDVSA” dhe madje pohoi se mund të konsiderojë një ndërhyrje ushtarake për të zgjidhur atë që është cilësuar si një katastrofë humanitare, e shkaktuar nga politikat e dështuara të qeverisë socialiste të Venezuelës gjatë dy dekadave të fundit. Rusia i ka dënuar sanksionet amerikane dhe ka akuzuar Uashingtonin "se po kërkon të zbatojë hapur një kurs për ndryshimin e paligjshëm të sistemit". Por a është qasja e Moskës vetëm një kundërvënie politike ndaj Uashingtonit, apo pas kësaj fshihen të tjera interesa? Korrenspondenti i Zërit të Amerikës Igor Tsikhanenka sjellë hollësitë.

Keqmenaxhimi dhe korrupsioni i shfrenuar nga qeveritë socialiste të Hugo Chavez-it dhe pastaj të Nicolas Maduros e kanë zhytur Venezuelën, një vend me rezervat më të mëdha të naftës në botë, në varfëri e kaos ekonomik.
"Zgjidhja e krizës humanitare është thelbësore. Nicolas Maduro është epiqendra e çdo lloj tregtie të paligjshme që po ndodh në mbarë botën, trafikut të narkotikëve, tregtisë së paligjshme të arit, të armëve, të qënieve njerëzore…”- thotë Jason Marczak, Këshilli i Atlantikut.

Sipas Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët tre milionë venezueljanë janë larguar nga vendi si pasojë e krizës. Shumë janë larguar që nga viti 2015.

Eksodi është i nxitur prej dhunës, inflacionit tejet të lartë, që arriti 80 mijë për qind në vitin 2018 dhe mungesave të mëdha në ushqime e ilaçe.

Gjatë këtyre viteve Rusia e ka mbështetur Venezuelën, duke shërbyer si mundësia e vetme për të përkrahur ekonominë në rënie të vendit.
Moska i ka cilësuar sanksionet amerikane të paligjshme dhe është shprehur kundër çdo veprimi ushtarak.

"Po pse Rusia po kujdeset kaq shumë?! Rusia shqetësohetpër shkak se i shet armë Nikolas Maduros, si dhe për shkak të investimeve të mëdha të Rosneft-it, kompanisë ruse të naftës", thotë Jason Marczak, Këshilli i Atlantikut.

Agjencia e lajmeve “Reuters” njoftoi se në vitin 2016, Nicolas Maduro nënshkroi një marrëveshje, falë së cilës iu dha kompanisë ruse shtetërore “Rosneft” 49.9 për qind e filialit të kompanisë venezueljane të naftës “Citgo” me bazë në SHBA, në formën e kolateralit prej 1.5 miliardë dollarësh, para të thata, tejet të nevojshme për Venezuelën.

Në total mes viteve 2006 dhe 2017, Moska i ka dhënë Venezuelës të paktën 17 miliardë dollarë në formë kredie, duke u bërë huadhënësja më e madhe e këtij vendi, pas Kinës.

Disa analistë thonë se sanksionet amerikane do të ndërpresin “litarin finaciar shpëtues” për qeverinë e Maduros, por paralajmërojnë se masat do të shkaktojnë edhe më shumë vuajtje për popullin e Venezuelës.

"Në fakt, nafta siguron 80 për qind të parave që vendi përdor për të importuar ushqime dhe ilaçe. Dhe bëhet fjalë për ushqime e ilaçe që aktualisht janë me sasi të pakta në vend. Ekziston një rrezik real që këto sanksione të përshkallëzojnë krizën humanitare në Venezuelë", thotë Geoff Ramsey, analist për Venezuelën, zyra e Uashingtonit për Amerikën Latine.

Ndërsa shumë vëzhgues peshojnë pasojat e presionit ekonomik amerikan dhe ndërhyrjes së mundshme ushtarake në Venezuelë, është populli i këtij vendi që mban barrën e kësaj krize të vazhdueshme.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG