Lidhje

Shqipëri-Itali, goditen 4 organizata kriminale


Një operacion i përbashkët i policisë shqiptare dhe autoriteteve italiane çoi sot në goditjen e katër grupeve kriminale të cilat dyshohen për trafik droge dhe armësh nga Shqipëria drejt Italisë. Të paktën 20 persona, nga të cilët 6 italianë dhe 14 shqiptarë u arrestuan, ndërsa 7 shqiptarë të tjerë janë në kërkim. Në Itali, ku u angazhuan 100 agjentë të Guardi di Finanza të Lecce-s dhe Shërbimit kundër krimit të organizuar, u arrestua pjesa më e madhe e anëtarëve të këtyre organizatave, 5 italianë dhe 5 shqiptarë. Ndërsa në Shqipëri janë arrestuar 6 shqiptarë, ndërsa 3 të tjerë, 2 shtetas italianë dhe 1 shtetas shqiptarë ndodhen prej kohësh në burg në Shqipëri.

Në fakt hetimet të koordinuara nga Drejtoria e Antimafies italiane dhe Prokuroria shqiptare e Krimeve të Rënda, kanë nisur që prej dy vitesh, në të dy vendet. Në Itali është bërë i mundur zbulimi i aktivitetit të grupeve të cilat kishin baza operative në krahinën e Lecce-s dhe shtriheshin në të paktën 6 zona të tjera nga jugu në veri të këtij vendi. Edhe në Shqipëri hetimet janë zhvilluar në disa qytete të vendit, kryesisht në Durrës, Vlorë e Lezhë.

Gjatë këtyre dy viteve, organizatat kanë marrë disa goditje. Në Itali numërohen 26 operacione që kanë çuar në arrestimin e 31 personave, ndërsa 90 të tjerë janë hetuar në gjendje të lirë. Në total bëhet fjalë për mbi 8 ton marijuanë, 10 kile kokainë dhe armë e municione të kapura. Në Shqipëri janë të paktën 3 raste përgjatë vitit 2017, ku janë sekuestruar afro 2.3 ton marijuanë, si dhe tre mjete lundruese që do të përdoreshin për trafikimin e lëndës narkotike drejt Italisë, ndërsa në pranga kanë përfunduar 3 persona.

Drejtuesit e të katër organizatave ishin kryesisht shqiptarë, të cilët porosisnin drogën në Shqipëri për ta shpërndarë më tej në territorin italian. Hetuesit italianë deklaruan dhe sot se organizatat kriminale shqiptare kanë forcuar aktivitetin e tyre në Itali, aq sa dhe organizatat vendase, shpesh dhe ato mafioze, ju drejtohen atyre për t’u furnizuar me drogë duke parapaguar me para në dorë.

Detajet e operacionit u bën publike në të njejtën orë si në Itali ashtu dhe në Tiranë, përmes një telekonference shtypi të përbashkët. Si për të treguar peshën e këtij operacioni, në Itali, në konferencën e shtypit ishte Prokurori kombëtar i Antimafies italiane Federico Cafiero De Raho. “Bëhet fjalë për një operacion të një rëndësie të madhe, pasi kemi vepruar në bashkëpunim të fortë me autoritetet shqiptare. Organizatat mbështeteshin te elementë të kriminalitetit italianë, duke mundur të fusnin drogën në tregun italian dhe europian, gjë që dëshmon dhe rrezikshmërinë e këtyre grupeve shqiptare”, deklaroi De Raho.

Edhe drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela, vuri në pah aktivitetin e skuadrës së përbashkët hetimore që ndoqi rastin. “Nga momenti i krijimit deri më sot, kjo skuadër mund të konsiderohet si një histori suksesi jo vetëm përsa i përket përdorimit të gjitha teknikave ligjore proceduariale të hetimit, por në veçanti të teknikave të reja të hetimit. Kjo punë e përbashkët – shtoi më tej zonja Prela - e finalizuar me sukses midis dy prokurorive, tregon më së miri për rritjen e besueshmërisë së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda Tiranë në raport me partnerët tanë ndërkombëtarë, duke arritur kështu të bëhet partner i besueshëm në luftën kundër krimit të organizuar, përkrah Prokurorisë së Antimafias italiane”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG