Lidhje

Kapshticë, policia bllokon 1 ton marijuanë


Policia Kufitare shqiptare dhe Autoritetet Doganore bllokuan rreth 1 ton marijuanë në Pikën e Kapshticës në kufi me Greqinë. Policia shqiptare tha se gjatë kontrollit të detajuar duke përdorur qen antidrogë dhe më pas edhe skanimin e mjeteve, ka gjetur në një nga dy kamionët e bllokuar në pikën kufitare, sasinë e madhe të lëndës narkotike.

Sipas policisë shqiptare dy kamionët udhëtonin drejt Greqisë me destinacion final Turqinë dhe po hetohet grupi kriminal që është përgjegjës për transportimin e drogës.

Policia në fillim dyshoi se në të dy kamionët gjendej drogë, por pas kontrollit vetëm në njërin prej tyre u gjet sasia e madhe e marijuanës. Sipas policisë shqiptare dy shoferët e kamionëve janë ndaluar në flagrancë dhe po merren në pyetje lidhur me ngarkesën.

Po sot policia shqiptare njoftoi edhe për bllokimin e rreth 15 kilogramëve marijuanë në një automjet që pritej të udhëtonte nga Porti i Durrësit drejt Italisë. Policia tha se arrestoi shoferin dhe dy shtetas nga Kosova që ishin udhëtarë në mjetin që pritej të ngjitej në tragetin e linjës detare me Italinë.

Trafiku i marijuanës së kultivuar në Shqipëri drejt vendeve fqinje vijon të shënojë raste të reja. Grupe kriminale jo vetëm përmes pikave kufitare, por edhe brezit të kufirit të gjelbër me Greqinë dhe hapësirës detare me Italinë arrijnë të transportojnë sasi të mëdha të lëndëve narkotike.

XS
SM
MD
LG