Lidhje

SHBA, Në pritje të votës mbi sigurinë kufitare


Ligjvënësit amerikanë pritet të votojnë sot mbi një marrëveshje financimi për të shmangur një tjetër mbyllje të qeverisë, duke siguruar para për ndërtimin e barrierave dhe masave të tjera të sigurisë në kufirin me Meksikën.

Anëtarët e Kongresit dhe stafi i tyre punuan të mërkurën deri vonë për të finalizuar legjislacionin që u hartuar nga një komision dypartiak, i cili duhet të gjente gjuhën e përbashkët për çështjet e sigurisë kufitare.

Komisioni ishte zgjidhja e kompromisit që i dha fund mbylljes së pjesshme 35 ditore të qeverisë. Mbyllja u shkaktua sepse republikanët dhe demokratët ishin të ndarë lidhur me kërkesën e Presidentit Donald Trump për 5,7 miliardë dollarë për ndërtimin e një muri në kufirin jugor.

Projekt-ligji i ri nuk përmbush kërkesën e Presidentit dhe parashikon vetëm 1,37 miliardë dollarë për barrierat kufitare përgjatë 90 kilometrave. Ai përfshin ndërkaq përmirësime teknologjike për pikat e hyrjes në kufi, më shumë doganierë dhe ndihma humanitare.

Projektligji duhet të miratohet nga Kongresi dhe të nënshkruhet nga Presidenti para mesnatës të së premtes, përndryshe një e katërta e qeverisë mbetet pa financim.

Zoti Trump tha të mërkurën se nuk e kishte marrë ende vendimin.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG