Lidhje

Presidenti Trump i bën thirrje ushtrisë së Venezuelës të braktisë Nicolas Maduron


Presidenti Donald Trump, në një fjalim që mbajti në Miami të hënën, bëri thirrje që t'i jepet fund socializmit në Venezuelë, duke thënë se Shtetet e Bashkuara kërkojnë një tranzicion paqësor të pushtetit, por të gjitha opsionet janë të hapura.

Presidenti Trump, u bëri thirrje në Miami, ushtarëve venezuelianë të shpërfillin urdhërat e Nicolas Maduros dhe të pranojnë ofertën e amnistisë të bërë nga kreu i asamblesë kombëtare, Juan Guaido, i cili tani njihet si presidenti i Venezuelës nga Shtetet e Bashkuara dhe rreth 50 vende të tjera.

"Ju nuk do të gjeni port të sigurt, asnjë dalje të lehtë dhe asnjë rrugëdalje. Ju do të humbni gjithçka", u tha ai.

Presidenti Trump paralajmëroi gjithashtu anëtarët e ushtrisë venezueliane që të mos bllokojnë ndihmën e huaj për vendin.

Tre aeroplanë ushtarakë të SHBA të ngarkuar me ndihma humanitare për Venezuelën u ulën në Cucuta të Kolumbisë të shtunën, duke shtuar tonelata me ushqime dhe ilaçe, që presin të kalojnë kufirin.

Sidoqoftë, ndihma e dërguar nga Shtetet e Bashkuara dhe shumë vende të tjera nuk ka arritur asnjë venezuelian, por është grumbulluar në Kolumbi, Brazil dhe Curacao.

Nicolas Maduro thotë se ndihma është e panevojshme dhe e paligjshme dhe se lejimi i saj për të hyrë në Venezuelë do të nënkuptonte një pushtim ushtarak nga ana e SHBA-së.

Venezuela vuan nga mungesa e ushqimit, ilaçeve dhe sende të tjera të nevojave të përditshme dhe ka gjithashtu shkallën më të lartë të inflacionit në botë. Tre milionë njerëz - rreth 10 për qind e popullsisë - kanë ikur nga vendi.

Paralajmërimet e Donald Trumpit për socializmin, se është "vetëm një pushtet për klasën sunduese", synonin gjithashtu që ai të grumbullojë bazën e tij politike, ndërsa presidenti ka përpara fushatën e rizgjedhjes vitin e ardhshëm.

"Nuk ka asgjë më pak demokratike se socializmi dhe Amerika kurrë nuk do të jetë një vend socialist", - deklaroi presidenti Trump.

"Nuk ka dyshim se fjalimi ishte pjesë e fushatës së tij elektorale dhe ai nuk fliste për popullin venezuelian, por për votuesit në Florida. Kjo është zhgënjyese", thotë Dany Behar, një ekonomist nga Venezuela në Institutin Brookings, transmeton VOA News.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG