Lidhje

Protesta e opozitës, anullohet seanca e parlamentit


Në Shqipëri, kryetari i parlamentit Gramoz Ruci, deklaroi sot pasdite se ka vendosur të anullojë zhvillimin e seancës së nesërme të parlamentit për t’i lënë kohë opozitës që të reflektojë për vendimin e saj për dorëimin e mandateve, por dhe pas sinjalizimeve për mundësinë e akteve të reja të dhunës gjatë protestës që opozita ka njoftuar përpara selisë së parlamentit. Policia shqiptare njoftoi sot se ka të dhëna se synohet hyrja me forcë në sallën e parlamentit.

Protesta e opozitës, anullohet seanca e parlamentit
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:24 0:00

“Eshtë detyra jonë t'i krijojmë opozitës hapësira kohore reflektimi dhe mundësi rikthimi në rrugën e arsyes. Në këto kushte, duke pasur parasysh apelin e partnerëve tanë strategjikë, duke pasur parasysh informacionet e organeve ligjzbatuese dhe të inteligjencës, duke ndjekur qëllimin më të lartë të ruajtjes së integritetit të Kuvendit të Shqipërisë, të deputetëve dhe të sallës së Kuvendit, ftoj kolegët deputetë, anëtarë të të gjithë grupeve parlamentare, të mirëkuptojnë vendimin tim për të mos zhvilluar seancën plenare të ditës së enjte, datë 21 shkurt”, deklaroi sot pasdite kryetari i parlamentit Gramoz Ruçi. Opozita paralajmëroi që të shtunën e kaluar organizmin e një proteste nesër përpara parlamentit. Sot policia përmes një deklarate u shpreh se “ka të dhëna për nxitje të dhunës dhe organizime me natyrë kriminale. Synohet hyrja me forcë në sallën e Parlamentit, duke ushtruar dhunë mbi personelin që ka detyrimin ligjor të sigurojë mbrojtjen e institucionit themelor të demokracisë”. Policia theksoi gjithashtu se “forcat e rendit dhe sigurisë janë të gatshme t'i përgjigjen me forcën e ligjit dhe në proporcionalitet të plotë, çdo veprimi të paligjshëm apo akti dhune”. Gjatë mbrëmjes zona rreth parlamentit u rrethua me tela me gjemba, ndërkohë që për protest pritet të angazhohen së paku 1 mijë punonjës të rendit.

Protesta e nesërme e opozitë duket se ka qenë në qendër dhe të takimit që ambasadori i Delegacionit europian në Tiranë, Luigi Soreca pati sot me kryetarin demokrat Lulzim Basha.”Nesër është një ditë e rëndësishme dhe ne presim të mos ketë dhunë dhe që proceset demokratike të vijojnë”, tha zoti Soreca, duke shtuar se i kishte shpjeguar zotit Basha “qëndrimin e Bashkimit europian dhe se ky qëndrim është shumë i qartë”. Dje në një intervistë për Top Channel, zoti Soreca e quajti kundërproduktiv vendimin e opozitës për dorëzimin e mandateve duke theksuar nevojën që partitë politike të përqëndrohen te reformat e në vecanti te ajo në Drejtësi.

Një ditë më parë, ambasada amerikane reagoi me tone të forta ndaj opozitës duke “i bërë thirrje të gjithë deputetëve të ngrihen mbi sherret politike, të refuzojnë thirrjet për të braktisur mandatet e tyre dhe të mbrojnë idealet dhe parimet që janë me rëndësi thelbësore për çdo demokraci të fortë”. Ne deklartën e saj, ambasada nënvizonte se “kërcënimet nga Partia Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe parti të tjera opozitare për të braktisur mandatet e tyre në parlament minojnë parimet bazë të demokracisë dhe sabotojnë përparimin e rëndësishëm që Shqipëria ka arritur në zbatimin e ligjit dhe qeverisjen e përgjegjshme”.

Edhe OSBE-ja në Tiranë ju bashkua kritikave ndaj vendimit të deputetëve të opozitës për të hequr dorë nga mandatet parlamentare, duke vënë në dukje se një akt i tillë “minon procesin demokratik ligjvënës dhe përbën një heqje dorë nga përgjegjësia e tyre për të përfaqësuar qytetarët që i kanë votuar. Reformat thelbësore dhe gjerësisht të mbështetura po vonohen”. OSBE gjithashtu “këshillon fuqishëm që të mos ndërmerret asnjë përpjekje për të tronditur themelet e demokracisë përmes dhunës, që të mos ndryshohet procesi demokratik përmes presionit jodemokratik. Ata që mundësojnë dhe nxisin dhunën do të mbajnë përgjegjësi. Na vjen keq që paralajmërimet e kaq shumë miqve dhe partnerëve afatgjatë të Shqipërisë nuk u dëgjuan”. Duke kujtuar se vendi ka bërë përparim domëthenës në dy dhjetëvjeçarët e fundit, OSBE-ja thekson se “ky përparim duhet të vijojë për të mirën e të gjithë qytetarëve shqiptarë dhe jo të përmbyset në dobi të një grushti dhunuesish”.

Shqetësim për situatën e krijuar u shpreh dhe nga mbasadorja gjermane Suzanne Schutz, e cila gjatë ditë u takua si me kryetarin demokrat Basha ashtu dhe me drejtuesen e LSI-së Kryemadhi. “Bojkoti i parlamentit apo dorëzimi i mandateve janë një rrugë e gabuar. Gjithsesi çdo deputet e merr këtë vendim në mënyrë individuale dhe mban përgjegjësi për këtë para së gjithash përpara zgjedhësve të vet” shkruan ambasadorja gjermane në një deklaratë. Ndërsa duke ju referuar protestës së nesërme ajo shprehet se “dhuna, sikurse e pamë të shtunën e kaluar, është e papranueshme. Në këtë kontekst u bëj thirrje të gjithë pjesëmarrësve të japin kontributin e tyre, që protestat e ardhshme të zhvillohen në mënyrë paqësore. Edhe ata që organizojnë protestën mbajnë përgjegjësi, që situata të mos përshkallëzohet”.

Thirrje për të evituar përsëritjen e akteve të dhunës edhe nga ambasadori italian Alberto Cutillo. “Liria e shprehjes nuk mund të justifikojë deklarata që nxisin dhunën e aq më pak akt të dhunshme. Uroj që protesta e nesërme të jetë paqësore dhe të respektohen plotësisht institucionet shtetërore. Çdo shprehje e dhunshme do të dënohet me forcë nga pala italiane”, thekson në deklaratën e tij ambasadori Cutillo.

Por pavarësisht pozicioneve haptazi kritike ndaj vendimit të marrë nga opozita, kryetari demokrat Lulzim Basha u shfaq në mbrëmje para disa qindrave mbështetësish të mbledhur në oborrin e partisë, për të njoftuar me entuziasëm se dhë Këshilli Kombëtar kishte në mbështetje të “djegies” së mandateve. Një vendim i cili erdhi sipas zoti Basha pas protestës të së shtunës. “Ne nuk kemi asnjë rrugë tjetër dhe zgjedhim me përgjegjësi të plotë t’i bindemi urdhrit të sovranit. Sovrani në Republikën e Shqipërisë është populli, ndaj qytetarët jeni ju”. Kryetari demokrat theksoi se ky është vetëm fillimi i një beteje. “Përmes këtij vendimi të vështirë dhe të paprecedent, ne synojmë të çojmë deri në fund betejën tonë për vlerat europiane. Vendimi i marrë sot, është vetëm fillimi i një beteje, por unë e di se këtë betejë të madhe, ne të gjithë së bashku do ta fitojmë për Shqipërinë, për demokracinë”. Fjalën e tij zoti Basha e mbylli me thirrje qytetarëve që të bashkohen në protestën e nesërme, para parlamentit “i cili një orë e më parë do t’i kthehet Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe jo krimit dhe korrupsionit”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG