Lidhje

Ish-bashkëpunëtori i Pres. Trump përsëri në gjykatë


Një nga këshilltarët e hershëm të presidentit amerikan Donald Trump, Roger Stone pritet të paraqitet të enjten në gjykatë ku do të rishqyrtohet masa e sigurisë gjatë hetimeve, aktualisht ai po ndiqet në gjendje të lirë pas garancisë financiare, për shkak të publikimit nga ana e tij në rrjetet sociale të fotografisë së gjyqtares që ka çështjen e tij, me shënjestrën e një arme pranë fytyrës së saj.

Zoti Stone e postoi dy herë fotografinë e gjykatëses Amy Berman Jackson në Instagram, por më vonë kërkoi falje.

66-vjeçari, i cili për një kohë të gjatë e ka përshkruar veten si një marifetçi politik, e quajti rastin kundër tij si "shfaqja gjyqësore e ardhshme".

Ai u arrestua në shtëpinë e tij në jug të Floridës nga FBI-ja më 25 janar dhe përballet me akuza se në koordinim me zyrtarë të fushatës së zotit Trump në vitin 2016, i kërkoi WikiLeaks-it email-e të vjedhura të cilat dëmtonin kundërshtaren e zotit Trump, Hillary Clinton.

Ditën kur u arrestua, zoti Stone tha se nuk është fajtor lidhur me këto akuza dhe se do t’i rrëzonte ato në gjykatë.

Që nga ai moment Roger Stone ka dalë në disa media duke kundërshtuar akuzat e ngritura nga Prokurori i Posaçëm Robert Mueller, pjesë e hetimit të tij 21-mujor mbi lidhjet e njerëzve të fushatës së zotit Trump me Rusinë dhe se nëse zoti Trump, në detyrën e presidentit ka penguar drejtësinë duke u përpjekur të pengojë hetimin.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG