Lidhje

Acarohet kriza në Venezuelë, përleshje mes protestuesve dhe policisë


Në Venezuelë të paktën një civil është vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur në një përleshje me forcat e sigurisë pranë kufirit të vendit me Brazilin.

Sipas njoftimeve incidenti i së premtes u zhvillua pranë Kumarakapays dhe përfshinte anëtarët e komunitetit indigjen. Një zyrtar lokal e identifikoi viktimën si Zoraida Rodriguez.

Zyrtari lokal, kryebashkiaku Emilio Gonzalez, i tha agjencisë së lajmeve “Associated Press” se anëtarët e grupit etnik “Pemon” u përleshën me Gardën Kombëtare venezueljane dhe ushtrinë, pasi forcat e sigurisë vendosën tanke në kufirin me Brazilin.

Zoti Gonzalez tha se trupat ushtarake gjuajtën me plumba gome dhe gaz lotsjellës ndaj civilëve.

Të enjten, presidenti i kundërshtuar i Venezuelës Nicolas Maduro, e mbylli kufirin e vendit me Brazilin dhe kërcënoi se do të bënte të njëjtën gjë me kufirin me Kolumbinë, me qëllimin për të ndalur ndihmën e huaj të hyjë në vend.

Nicola Maduro dërgoi ushtrinë në disa vendkalime kufitare.

Tonelata me ushqime, ilaçe e ndihmave të tjera, kryesisht nga Shtetet e Bashkuara, ndodhen në depo në anën kolumbiane të kufirit me Venezuelën.

Nicolas Maduro thotë se Venezuela nuk është një komb "lypësish" dhe është zotuar se do të vazhdojë ta refuzojë ndihmën, të cilën e konsideron si preludin e një pushtimi amerikan.

Kreu i opozitës Juan Guaido është zotuar të fusë ndihmën në vend të shtunën, pavarësisht kërcënimit nga forcat ushtarake. Juan Guaido është vetëshpallur presidenti i përkohshëm i vendit dhe njihet si i tillë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe dhjetra vende të tjera.

XS
SM
MD
LG