Lidhje

Takimi Trump-Kim dhe modeli vietnamez


Vietnami, vendi mikëpritës i takimit të dytë të nivelit të lartë Trump-Kim, dikur i ndarë në dy, mes veriut dhe jugut, tashmë është i bashkuar. Kohë më parë ky vend ishte në luftë me Shtetet e Bashkuara ndërsa tani është një mik, një vend socialist që ka bërë reforma ekonomike. Të gjitha këto e bëjnë Vietnamin një model joshës politik dhe ekonomik për Korenë e Veriut. Por siç raporton gazetari i “Zërit të Amerikës” Bill Gallo nga Hanoi, nuk është e qartë nëse udhëheqësi i Phenianit Kim Jong Un e sheh Vietnamin në këtë mënyrë.

Mirë se erdhët në Republikën Socialiste të Vietnamit, një vend komunist me një parti, që këto ditë duket mjaft kapitalist. Nga fastfudet perëndimore tek makinat luksoze. Ka shenja të kapitalizmit pothuajse kudo në këtë vend të sunduar nga komunizmi…por që ofron një sfond interesant për takimin e dytë mes Presidentit amerikan Donald Trump dhe udhëheqësit të Koresë së Veriut Kim Jong Un.

Ky nuk është i njëjti Vietnam ndaj të cilit luftuan Shtetet e Bashkuara në vitet 1960-70. Megjithëse ka ende shenja të kontrollit komunist, ato pothuajse janë mbytur nga një brez i ri që po krijon një identitet të ri kombëtar.

Hapja e ekonomisë së vendit nisi në vitin 1980. Aktualisht Vietnami ka një nga ekonomitë me rritjen më të shpejtë në botë.

"Parë nga vështrimi i Presidentit Trump, Vietnami përfaqëson një vend komunist, pjesërisht kapitalist. Ai do të dëshironte që Kim Jong Un-i të shihte përfitimet e kësaj", thotë David Shear, ish-ambasador i SHBA-së në Vietnam.

Por nuk është e qartë nëse kjo do ta bindte udhëheqësin e Phenianit. Për tre breza, familja Kim ka qëndruar në pushtet pikërisht sepse nuk i ka zbatuar këto lloj reformash.

Një problem tjetër? Sanksionet ndërkombëtare.

"Sanksionet do të ishin një frenim i vërtetë për çdo arritje të Koresë së Veriut, derisa çarmatimi bërthamor të ndodhte në një masë të tillë që do të konsiderohej e mjaftueshme për Shtetet e Bashkuara dhe Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që të hiqnin sanksionet", thotëDavid Shear, ish-ambasador i SHBA në Vietnam

Megjithatë gjatë takimin e tij me Kim Jong Un-in, presidenti Trump ka të ngjarë ta paraqesë Vietnamin si model, ashtu siç bëri në Singapor me këtë video promovuese, që ndodhet në faqen Facebook të Shtëpisë së Bardhë.

Por në pritje të takimit Trump-Kim në Vietnam pyetja kryesore mbetet: a është kjo ajo çka udhëheqësi i Pheniat dëshiron?

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG