Lidhje

Gratë imigrante në teknologji


Silicon Valley, ku kanë selinë kompanitë Apple, Facebook dhe Google, është një qendër e fuqishme e ekonomisë amerikane, që mbështet kompani teknologjike me ndikim global. Por pas këtyre markave të famshme amerikane qëndrojnë shumë gra imigrante që luajnë një rol të fuqishëm. Në prag të 8 marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas, korrespondentja e Zërit të Amerikës Deana Mitchell përgatiti një material që na njeh me gratë të cilat përpiqen të ndërtojnë gjeneratën e ardhshme të kompanive teknologjike.

Pushpa Ithal mund të mos duket si një shefe ekzekutive tipike në Silicon Valley - ajo është grua, nënë dhe e lindur jashtë vendit. Megjithatë, ajo është njëra prej shumë grave të huaja që po ngjiten në karrierë në Silicon Valley, ku kompanitë po mbështeten gjithnjë e më shumë tek punonjës si ajo.

"Silicon Valley njihet në mbarë botën ... duke krijuar, duke ndërtuar produkte të shkëlqyera që i përdorin miliona, qindra miliona njerëz ".

Silicon Valley, qendra globale për inovacionin e teknologjisë së lartë, mund të quhet lugina e imigrantëve. Ajo ka në bazë të saj punonjës të huaj, shumë prej të cilëve vijnë nga vende në zhvillim. Dhe duke punuar kaq shumë për të arritur këtu, shumë kanë ambicie përtej punëve të tyre.

"I thashë vetes.... A do të marrësh mbi vete rrezikun dhe të fillosh një kompani? Kam arritur deri këtu me punë, le të rrezikoj... Kjo gjë të jep shtytje".

Në shkencat kompjuterike, njerëzit e lindur jashtë Shteteve të Bashkuara përbëjnë pothuajse 70 përqind të punonjësve. Kjo është veçanërisht e vërtetë për gratë. Pothuajse 80 përqind e grave në fushën kompjuterike dhe në matematikë janë të lindura jashtë. Shumica janë nga India dhe Kina.

"Në vende si India apo Kina rolet e grave shpesh janë shumë të pazëshme. Silicon Valley ofron një rrugë jashtë kësaj norme. Inxhinieria në veçanti është një rrugë që të siguron qëndrueshmëri financiare", thotë AnnaLee Saxenian, drejtoreshë e degës së Informatikës në universitetin UC Berkeley.

Megjithëse industria e teknologjisë është ende e mbizotërruar nga burrat, gjithnjë e më shumë gra të huaja janë duke gjetur sukses këtu po ngjiten me shpejtësi në karrierë. Lingling Shi, e lindur në Kinë, e pa studimin e teknologjisë si një biletë për të arritur sukses në Shtetet e Bashkuara.

"Shkencat kompjuterike, për shumë nga ne, janë rruga më e lehtë për të aplikuar për kartën jeshile. Të jem e sinqertë nuk është interesi im kryesor".

Jeta familiare për gratë e lindura jashtë dhe që janë në fushën e teknologjisë është një aspect që i dallon ato nga homologet e tyre amerikane. Pavarësisht nga karriera kërkuese, statusi i tyre si bashkëshorte dhe si nëna është sa dyfishi i grave amerikane.

"Për kinezët, familja është gjëja më e rëndësishme. Ata kurrë nuk pranojnë të jenë të suksesshëm, pa patur familje. Përshembull prindërit e mi nuk impresionohen t’u thuash se je nënpresidente e një kompanie po nuk pate fëmijë”, thotë Lingling Shi.

"Gratë nga India dhe Kina janë nën presionin e një sërë pritshmërish dhe normash kulturore për të krijuar një familje menjëherë - dhe për të shkëlqyer në karrierë. Këto gra janë me të vërtetë super-gra në detyrat që ndërmarrin", thotë AnnaLee Saxenian, drejtoreshë e degës së Informatikës në universitetin UC Berkeley.

Por ky presion nga prindërit ka të mirat e veta.

"Zakonisht për familjen aziatike, prindërit do të jenë këtu kur të jesh gati të lindësh fëmijën. Ata do të jenë këtu për gashtë muaj apo një vit për të të ndihmuar pas kësaj", thotë Lingling Shi.

Një mbështetje e tillë është shumë favorizuese.

"Ato i marrin rolet drejtuese shumë më shpejt se sa bashkëmoshataret e tyre të lindura në Amerikë, të cilat nuk kanë mbështetjen që u nevojitet", thotë Rachel Massaro, hulumtuese në Institutin për Studime Rajonale në Silicon Valley.

Ato mund të mos jenë emra të dëgjuar apo në faqet e para të revistave të biznesit, por këto emigrante mund të jenë talentet që nxisin valën e ardhshme të inovacioneve të teknologjisë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG