Lidhje

Demokratët e kongresit përballë dilemave


Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit amerikan, ku shumicën e kanë demokratët, po rrit trysninë mbi Presidentin Donald Trump me hetime rreth financave të tij dhe lidhjeve të mundshme të fushatës së tij presidenciale me Rusinë. Një javë më parë, ish-avokati personal i zotit Trump, Michael Cohen, dëshmoi para ligjvënësve për shkelje të mundshme të kryera nga presidenti. Megjithatë, Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, bëri thirrje për kujdes kur flitet për mundësinë e fillimit të një procedure për shkarkimin e presidentit.

Dëshmia e ish-avokatit të zotit Trump javën e kaluar ishte dramatike.

"Ai është një racist, një manipulues, një mashtrues," deklaroi ish-avokati Michael Cohen.

Ndërkaq, këtë javë demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve kërkuan për shqyrtim dokumente të shumta që lidhen me rrethin e brendshëm të Presidentit Trump.

Por demokratët kryesorë të Dhomës thonë se kjo është thjesht një masë për të mbajtur nën mbikqyrje presidentin dhe Shtëpinë e Bardhë, jo një përpjekje për të nisur procedura për shkarkimin e Presidentit.

Nancy Pelosi, Kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve

"Nisja e procedurave të shkarkimit është një çështje përçarëse në vendin tonë. Le të shohim se cilat janë faktet, cili është ligji dhe cilat janë sjelljet e presidentit", thotë zonja Nancy Pelosi, Kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve.

Zonja Pelosi bën thirrje për kujdes, deri sa prokurori i posaçëm, Robert Mueller, të publikojë raportin lidhur me bashkëpunimin e pretenduar të fushatës Trump me Rusinë.

"Demokratët janë shprehur me forcë se integriteti i hetimit të zotit Mueller duhet të mbrohet nga ndërhyrjet e Presidentit, ose llojet e tjera të ndërhyrjeve nga republikanët. Nëse demokratët flasin për procedura shkarkimi pa pritur raportin e zotit Mueller, kjo do t’i bënte të duken mjaft hipokritë," thotë John Hudak, analist në Institutin Brookings.

Dëshmia e zotit Cohen u dha ligjvënësve një pasqyrë më të gjerë për shkeljet e mundshme të presidentit Trump.

"Po rriten shenjat se ai do të bëjë gjithçka për të mbrojtur veten. Do të pengojë drejtësinë, do të shkelë ligjin", thotë Jackie Speier,

ligjvënëse demokrate.

Demokratët gjithashtu mendojnë se në mjedisin e tanishëm të ngarkuar politik, standardet për ngritjen e akuzave do të jenë të larta.

"Ishte një kohë kur ne do ta kishim menduar si diçka që meritonte fillimin e procedurave të shkarkimit, nëse Presidenti bënte shkelje në Zyrën Ovale, apo nëse shkelte ligjet e financimit të fushatës, duke bërë pagesa të paligjshme. Tani ne duhet të pyesim veten nëse këto janë krime kundër vetë shtetit," thotë Jamie Raskin, ligjvënës demokrat.

Fakti që demokratët po kërkojnë dokumente, tregojnë se ata po përpiqen të gjejnë një përgjigje për këtë pyetje. Por Shtëpia e Bardhë thotë se një hetim i tillë sinjalizon se pretendimet e demokratëve për një bashkëpunim të fshehtë mes fushatës Trump dhe Rusisë po rrëzohen.

Republikanët po i qëndrojnë pranë presidentit.

"Nga ajo që kam parë, nuk kam asnjë dyshim për presidentin", thotë Kevin McCarthy, udhëheqës i Pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve.

Vitin e ardhshëm nisin zgjedhjet paraprake presidenciale dhe rreziqet për demokratët janë të mëdha.

"Nëse demokratët shfaqen si tepër të politizuar, ekziston rreziku që kjo t’i largojë votuesit e mundshëm të lëkundur dhe t'i japë municion Presidentit Trump për t'a përdorur kundër demokratëve", thotë analisti John Hudak.

Por nëse anëtarët e familjes së zotit Trump dhe bashkëpunëtorët e tjerë të Presidentit nuk përmbushin kërkesat për dorëzimin e dokumenteve që kërkojnë ligjvënësit demokratë, këta të fundit e kanë bërë të qartë se hapi tjetër do të jetë bllokimi i dokumenteve me urdhër të gjykatës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG