Lidhje

Në prag të Ditës Ndërkombëtare të Gruas


Organizatat civile dhe qeveritare në të gjithë botën po përgatiten të festojnë Ditën Ndërkombëtare të Gruas të premten.

Dita Ndërkombëtare e Gruas është një festë me më shumë se 100-vjet suksese sociale, ekonomike, kulturore dhe politike të grave në mbarë botën, ndërsa bën gjithashtu thirrje për barazi gjinore.

Kjo ditë që shënohet çdo vit më 8 mars, bashkon qeveritë, organizatat e grave, bizneset dhe organizatat bamirëse. Qytetet anembanë botës e shënojnë ditën me tubime, konferenca, projekte të artit dhe kulturës, si dhe fjalime.

E gjitha filloi në vitin 1908 kur 15 mijë gra punëtore veshjesh hynë në grevë dhe marshuan nëpër rrugët e Nju Jorkut, duke kërkuar orë më të shkurtra pune, paga më të mira dhe të drejtën e votimit. Në vitin 1910, një grua gjermane me emrin Clara Zetkin sugjeroi shpalljen e ditës së grave në një konferencë ndërkombëtare ku merrnin pjesë 100 gra. Ideja u pranua njëzëri.

8 marsi u festua për herë të parë në Austri, Danimarkë, Gjermani dhe Zvicër në vitin 1911. Më shumë se 1 milion gra dhe burra morën pjesë në demonstrata në mbështetje të së drejtës së gruas për të punuar, votuar, studiuar dhe mbajtur poste publike.

Kombet e Bashkuara e njohën zyrtarisht Ditën Ndërkombëtare të Gruas për herë të parë në vitin 1975. Në vitin 2011, Presidenti i atëhershëm amerikan Barak Obama e çoi Ditën e Grave një hap më tej, duke e deklaruar marsin, Muajin Historik të Grave.

Fokusi për festimin e çdo viti është i ndryshëm, por të gjitha ngjarjet janë të përqendruara në çështjet e panumërta me të cilat përballen gratë në mbarë botën.

Dhuna dhe rreziqet e tjera

Përpara Ditës Ndërkombëtare të Gruas, Komiteti Ndërkombëtar i Shpëtimit (IRC) publikoi një raport mbi pesë vendet më të rrezikshme në botë për vajzat adoleshente. Duke marrë parasysh të dhënat për martesat e hershme, nivelin e lindjeve të adoleshenteve, arsimimin, nivelin e dhunës dhe punën e fëmijëve, IRC përcakton Nigerinë, Jemenin, Bangladeshin, Sudanin e Jugut dhe Republikën e Afrikës Qendrore si vendet më të rrezikshme për vajzat e reja.

Bangladeshi, Sudani i Jugut dhe Republika e Afrikës Qendrore udhëheqin grupin për nga dhuna me bazë gjinore. IRC vë në dukje se 65 përqind e grave dhe vajzave në Sudanin e Jugut kanë përjetuar dhunë fizike dhe / ose seksuale gjatë jetës së tyre, duke e bërë atë një nga vendet me nivelet më të larta të larta të dhunës ndaj grave në botë.

Në Nigeri, kërcënimi ndaj vajzave vjen në formën e martesave në moshë të mitur. IRC vlerëson se 75 përqind e vajzave nigeriane nën moshën 18 vjeç janë të martuara.

Luftërat dhe konfliktet etnike në mbarë botën po vlerësohen këtë vit si shkaku kryesor i dhunës seksuale dhe gjinore. Kombet e Bashkuara, Kryqi i Kuq dhe Gjysmëhëna e Kuqe u bashkuan forcat muajin e kaluar për t'i dhënë fund përdorimit të përdhunimit si armë lufte.

“Dhuna seksuale dhe në baza gjinore në vende me konflikte nuk është vetëm një krim i tmerrshëm dhe që të ndryshon jetën dhe që kryhet më së shumti kundër grave dhe vajzave. Ajo përdoret gjithashtu si taktikë lufte, për të terrorizuar familjet, për të dhunuar vlerat humane në komunitete dhe për të destabilizuar shoqëritë, në mënyrë që ata të luftojnë për vite apo dekada të tëra për t'u rimëkëmbur pas përfundimit të luftimeve", tha Sekretari i Përgjithshëm i OKB Antonio Guterres.

Aktivizmi në politikë dhe shoqëri

Zgjedhjet e mesit të mandatit të vitit të kaluar në Shtetet e Bashkuara shënuan një rekord prej 117 grave që u zgjodhën për të shërbyer në Kongres. Për fat të keq, arritje të tilla janë shumë më të vështira për t’u realizuar në vendet e tjera.

Në Haiti, ku kushtetuta përcakton se 30 përqind e ligjvënësve duhet të jenë gra, kjo kuotë është larg realitetit.

"Lufta që po bëjmë në parlament synon të rrisë ndërgjegjësimin e kolegëve të mi, në mënyrë që edhe ata të luftojnë për këtë barazi. Ne jemi vetëm katër gra (ligjvënëse), por përfaqësojmë një vend me shumë gra", tha për Zërin e Amerikës, Dieudonne Luma Etienne, senatorja e vetme grua në Haiti.

Në Arabinë Saudite, ku gratë vetëm vitin e kaluar fituan të drejtën për t’i dhënë makinës, qeveria është akuzuar për përdorimin e ligjeve të saj kundër terrorizmit për t’i bërë të heshtin aktivistët, përfshirë gratë.

Një komision ekspertësh pët të drejtat e njeriut në OKB i bëri thirrje mbretërisë saudite që t’i lirojë aktivistët që mbahen padrejtësisht, përfshirë avokatin e të drejtave Walid Abu al-Kahir, poetin Ashraf Fayadh dhe gratë aktiviste Loujain al-Hathloul dhe Israa-Ghomgham.

Të drejtat e grave përmes artit

Festimet e Ditës Ndërkombëtare të Grave përfshijnë gjithashtu një anë tjetër më të ndritshme të jetës së grave. Disa grupe ndërkombëtare kanë zgjedhur të hedhin dritë mbi gratë që i konsiderojnë heroina.

Motoja e OKB-së këtë vit është "Mendoni për barazi, ndërtoni me zgjuarsi, bëni zbulime për ndryshim", duke theksuar mënyrat për të promovuar barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave.

Në faqen e saj në internet, OKB-ja ka grumbulluar rrëfimet e grave që kanë bërë ndryshime në komunitetet e tyre. Tregime të tilla janë psh ai i Nur Naharit, një refugjate nga Mianmari e cila ka marrë përsipër të këshillojë dhe mësojë gra të tjera të vendosura në kampet e refugjatëve në Bangladesh, apo kolumbianes Mila Rodriguez, e cila themeloi një grup të grave për të promovuar paqen dhe muzikën afro-kolumbiane.
http://interactive.unwomen.org/multimedia/campaign/unheardwomen/index.html

Organizata humanitare jofitimprurëse “Care” iu drejtua personaliteteve të famshme për një fushatë që shtron pyetjen, "Cila është heroina juaj ( #HerInHERO)?" Përpara Ditës Ndërkombëtare të Gruas, organizata “Care” publikoi një video me gra të suksesshme që i përgjigjen kësaj pyetjeje me fjalë frymëzuese.

Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas po ashtu vjen në ekranet e kinemave një heroinë, me filmin "Captain Marvel", ku për herë të parë një grua merr rolin e superheroinës.

Në shkrimin e këtij raporti kontriubuan korrespodentet e Zërit të Amerikës Lisa Schlein, Mariama Diallo dhe Jacquelin Belizaire.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG