Lidhje

Venezuela urdhëron dëbimin e ambasadorit gjerman


Martin Kriener
Martin Kriener

Qeveria venezueljane ka urdhëruar dëbimin e ambasadorit të Gjermanisë për shkak të mbështetjes që ai i ka dhënë udhëheqësit të opozitës Juan Guaido, i cili është angazhuar në një betejë politike kundër presidentit Nikolas Maduro.

Në një deklaratë të qeverisë thuhej se ambasadori Daniel Kriener kishte 48 orë afat për t'u larguar lidhur me atë që cilësohej si “ndërhyrje në punët e brendshme të Venezuelës”. Urdhri erdhi pas takimit ditën e hënë mes zotit Kriener dhe zotit Guaido në aeroportin e Karakasit, pasi udhëheqësi i opozitës venezueljane sapo ishte kthyer nga një vizitë jashtë vendit.

Huan Guaido e denoncoi vendimin e Nicolas Maduro-s gjatë një fjalimi të mërkurën përpara Asamblesë Kombëtare.

"Është thjesht një kërcënim dhe kështu duhet parë nga bota e lirë dhe nga ambasadori dhe një vend që ka dhënë shumë ndihma humanitare dhe ilaçe, gjë që Venezuela duhet ta dijë. Duket se regjimi i Maduros nuk fal askënd nga ata që dëshirojnë të ndihmojnë Venezuelën. Bota e lirë dhe Europa, duhet të kuptojnë se nuk bëhet fjalë për shpallje të një personi si i padëshiruar, pasi ata nuk i gëzojnë cilësitë për ta bërë këtë", tha ai.

Zoti Guaido, i cili njihet nga Shtetet e Bashkuara dhe rreth 50 vende të tjera si udhëheqësi i përkohshëm i Venezuelës, u rikthye në Venezuelë pas një turneu në disa vende të Amerikës Latine në kundërshtim me një urdhër gjykate që i ndalonte atij udhëtimin jashtë vendit.

Pak pas kthimit të tij, gjatë një tubimi, zoti Guaido bëri thirrje për rrëzimin e presidentit Maduro. Mbështetësit e tij e konsiderojnë si udhëheqës jolegjitim Nicolas Maduros pasi thonë se rezultati i zgjedhjeve të vjetshme ishte i pavlefshëm. Zoti Maduro gëzon mbështetjen e Rusisë.

Venezuela është përfshirë në një krizë humanitare që pritet të përkeqësohet, pasi sanksionet amerikane ndaj naftës venezueljane po e rëndojnë situatën ekonomike. Administrata e zotit Trump ka paralajmëruar se mund të marrë masa shtesë kundër qeverisë socialiste të Nicolas Maduros.

Komisionerja e lartë e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut Michelle Bachelet tha të mërkurën se sanksionet e kanë thelluar krizën në Venezuelë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG