Lidhje

Shqipëri, burg për ushtruesit e dhunës në stadiume


Në Shqipëri, qeveria propozoi dënime të rrepta, me burgim, për të shmangur episode e dhunës nëpër stadiumet e futbollit, si rasti e sulmit në 3 mars, ndaj arbitrit të ndeshjes së Kategorisë superiore Kamza-Laci, i cili u dhunua jo vetëm nga tifozë që hynë në fushë por dhe nga drejtuesit e klubit të Kamzës. Në një takim me Federatën e Futbollit, ku kishte shkuar i shoqëruar dhe me disa anëtarë të kabinetit qeveritar dhe drejtues të Komisioneve parlamentare, kryeministri Edi Rama deklaroi se “ne do të ndërhyjmë menjëherë në Kodin Penal dhe kapërcimi i vijave të bardha dhe futja në tapetin e gjelbër do të dënohet me 3 vjet burg. Jo gjobë deri në tre vjet, por 3 vjet burg. Kush kalon vijën e bardhë dhe hyn në tapetin e gjelbër është një kërcënim fizik për ata që aty janë duke ushtruar detyrën e tyre, qofshin futbollistë, qoftë edhe arbitri apo arbitrat. Kështu që kemi domosdoshmërinë ta diskutojmë me shpejtësi dhe ta aplikojmë menjëherë këtë dënim, minimumi 3 vjet”. Përveç dënimit me burgim, qeveria proozon të parashikojë dhe përjashtimin për jetë nga stadiumet të autorëve të dhunës.

Prej kohësh, episodet e dhunës, kanë hapur dhe një polemikë në distancë mes Policisë dhe Federatës së futbollit, pasi ligji nuk parashikon që siguria në stadium t’i besohet forcave të Rendit. Për tejkalimin e kësaj situate kryeministri propozoi një formulë të zbatiar siç tha ai në Gjermani apo Spanjë “ku Ministritë e Brendshme, në bashkëpunim me Federatën dhe Ligën profesioniste u dakordësuan dhe firmosën të ashtuquajturën Rregullore për Sigurinë në stadiume. Duhet një marrëveshje dhe në këtë marrëveshje, policia duhet të përfshihet drejtpërdrejtë në sigurinë e ndeshjes, edhe brenda impianteve sipas nevojave të përcaktuara dhe sipas kushteve të marrëveshjes në bashkëpunim me Federatën”. Kryeministri deklaroi se “sdresimi i problemeve të dhunës dhe ndërhyrjet në Kodin Penal besoj duhet të bëhen shpejt dhe të japim një mesazh të qartë se në këtë pikë nuk do të tolerohet më askush”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG