Lidhje

Edhe Gjoni i LSI-së pranon mandatin e deputetit


Ralf Gjoni
Ralf Gjoni

Në Shqipëri një tjetër emër nga lista e kandidatëve të Lëvizjes socialiste për Integrim, Ralf Gjoni ka vendosur të marrë mandatin e deputetit, pas vendimit të opozitës për të tërhequr në bllok përfaqësuesit e saj në parlament

Zoti Gjoni i cili ka qenë më parë Sekretar i LSI-së për marrëdhëniet me Jashtë si dhe këshilltar i ish kryetarit të Parlamentit Ilir Meta, i tha Zërit të Amerikës se ky “ishte vendimi më i vështirë politik të cilin e kam marrë pas një konsultimi të gjerë e të gjatë me familjen, miq të afërt e kolegë brenda e jashtë vendit si dhe me votues e aktivistë të shumtë që e kanë mbështetur gjatë fushatës elektorale”.

Zoti Gjoni deklaroi se “kam vendosur të vazhdoj shërbimin tim ndaj axhendës Euro-Atlantike të vendit e të jem në krahun e drejtë të historisë. Emri e integriteti im – shprehet më tej ai - nuk mund t’i shërbejnë kurrë destabilizimit të vendit, ndaj sot të gjithë duhet të marrin përgjegjësitë që kanë për të garantuar funksionimin normal të Parlamentit, si themel i shtetit shqiptar. Shqiptarët meritojnë qetësi, progres e shpresë për të ardhmen”, nënvizoi zoti Gjoni.

Po sot, Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve i dha mandatin e deputetit dy emrave nga listat e Partisë Demokratike. Deri më tani janë 11 nga kandidatët e opozitës që kanë marrë mandatin, ndërsa 3 deputetë nuk kanë pranuar të heqin dorë. Mes tyre dhe Rudina Hajdari e cila e beri publik vendimin e saj në intervistën e dhënë dje për Zërin e Amerikës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG