Prindër të famshëm të Hollivudit, trajnerë dhe administratori i një universiteti janë në mesin e 50 personave të akuzuar në një skemë mashtruese për pranimet në disa prej kolegjeve më të famshëm të SHBA.
Prokurorët e quajtën skemën "mashtrimi më i madh i këtij lloji i ndjekur ndonjëherë penalisht nga Departamenti i Drejtësisë."
Studentët u pranuan në shkolla elitë tepër konkurruese, pasi prindërit e tyre kishin paguar një person me emrin William Rick Singer për të organizuar provime të rreme, kredenciale të rreme dhe arritje të rreme në sporte, njoftoi Departamenti i Drejtësisë të martën në një konferencë shtypi.
Prindërit e akuzuar, përfshijnë aktorët Felicity Huffman dhe Lori Laughlin. Ata akuzohen se u kanë paguar me qindra mijëra dollarë për të siguruar që fëmijët e tyre të pranoheshin në kolegje prestigjioze amerikane - si universitetet Yale, Stanford, Georgetown - pa pasur kredencialet ose aftësitë e kërkuara.
"Këtu nuk po flasim për dhurimin e një ndërtese," shpjegoi prokurori Andrew Lelling. "Po flasim për marrje ryshfetesh nga zyrtarët e kolegjit".
Një akuzë përfshin kreun e futbollit për femra në Universitetin Yale, që zyrtarët e drejtësisë thonë se ka pranuar 400,000 dollarë, për të siguruar pranimin e një studenteje. Më vonë, sipas akuzës, ai ka marrë një shtesë prej 1.2 milionësh nga prindërit e vajzës për këtë qëllim. Në disa raste, tha prokurori, Singer bashkëpunoi me prindërit "për të krijuar profile atletike mbresëlënëse për fëmijët e tyre", duke përfshirë pjesëmarrje të rreme në ekipet elitë.
Facebook Forum