Lidhje

Tiranë, përplasje të dhunshme përpara parlamentit


Në Shqipëri, momente të forta tensioni u krijuan sot para parlamentit, gjatë protestës së opozitës. Policia përdori gazin lotsjellës si dhe pompat e ujit për të shpërndarë protestuesit, pasi ata tentuan fillimisht të çanin kordonin e sigurisë në hyrjen qëndrore. Nga selia e Partisë Demokratike, në mbyllje të protestës kryetari Basha përsëriti se manifestimet do të vazhdojnë deri në largimin e qeverisë së kryeministrit Edi Rama

Protesta e opozitës në Tiranë
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:47 0:00

Forca të shumta të policisë ishin grumbulluar përreth selisë së Qeverisë ku opozita kishte paralajmëruar protestën e saj të radhës për largimin e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie kalimtare që do të duhet të garantojë zgjedhjet e parakohshme. Në pjesën ballore të ndërtesës, përpara forcave të Rendit ishte vendosur dhe një gardh metalik, i cili shtrihej rreth e qark zonës. Grilat e të gjitha dritareve të Kryeministrisë ishin të mbyllura, ndërsa xhamat e portës hyrëse ishin zëvëndësuar me fletë metalike. E veshur me material mbrojtës edhe streha mbi hyrjen kryesore. Kamera të shumta ishin vendosur në pjesë të ndryshme të godinës, por dhe mbi shtyllat e ndriçimit, të cilat ishin lyer me graso, për të shmangur mundësinë që dikush të mund të ngjitej për t’i dëmtuar apo hequr.

Mbështetësit e opozitës u mblodhën fillimisht para godinës së kryeministrisë, siç dhe ishte njoftuar. Qëndrimi në shesh nuk zgjati shumë. Ish deputeti Flamur Noka, i bëri thirrje protestuesve që të ndiqnin drejtuesit e opozitës. Nën tingujt e muzikës së filmit Skënderbeu, mbështetësit e opozitës marshuan dy herë rreth e qark godinës së qeverisë, duke simbolizuar në këtë mënyrë rrethimin e saj.

Marshimi i tretë, pati një tjetër drejtim, parlamentin. Edhe këtu forcat e policisë ishin rreshtuar në hyrjen kryesore. Gjithshka po vijonte po qetësisht, kur një grup protestuesish u konfrontuan me policinë. Reagimi ishte i menjëhershëm me gaz lotsjellës. Në vijë të parë dolën forcat speciale.

Për më shumë se një orë, situata mbeti e tensionuar. Nga protestuesit u lëshuan gurë dhe sende të forta. Çdo përpjekje për t’ju afruar parlamentit sprapsej me lëshimin e gazit, ndërsa në pjesën anësore të parlamentit u vunë në përdorim dhe pompat e ujit.

Largimi i kryetarit demokrat Lulzim Basha, i cili ju drejtua më pas selisë së partisë së tij, shënoi dhe përfundimin e protestës së sotme. Duke folur përpara mbështetësve të tij, ai u shpreh se beteja e nisur nuk ka përfunduar. “Do ta hedhim në lumë rrugën e tij të mbrapshtë, qeverinë e tij kriminale dhe parlamentin e tij të krimit. Nuk ka rrugë tjetër për të rikthyer demokracinë dhe drejtësinë, përveç protestave popullore. Nuk ka rrugë tjetër për të mbrojtur të drejtat tona, përveç protestave tona”.

Në të njëjtën linjë edhe kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi. “Loja tashmë do të hyjë prej vërteti. Loja ka filluar të luhet fort sepse ka vetëm një rrugë, e cila u krijon shqiptarëve mundësinë e vetme. Mundësinë e vetme për ta kthyer Shqipërinë në shtëpinë ë fëmijëve të tyre, në shtëpinë e familjeve të tyre”, deklaroi zonja Kryemadhi.

Por zoti Basha pati një mesazh edhe për komunitetin ndërkombëtar, i cili ka qenë mjaft kritik ndaj qëndrimeve dhe vendimeve të opozitës. Një ditë më parë ambasada amerikane në Tiranë deklaroi se “e konsideronte legjitime qeverinë dhe parlamentin e dalë nga zgjedhje të njohura ndërkombëtarisht”. Por zoti Basha tha se “nuk mund të ketë stabilitet pa demokraci dhe shtet të së drejtës”, ndërsa tha se “ftesa ime është: mos e dëgjoni autokratin e korruptuar Edi Rama! Mos e dëgjoni njeriun që e zhyti Shqipërinë në drogë, dëgjoni zërin e njerëzve, dëgjoni zërin e qytetarëve! Ne nuk do ta pranojmë kurrë t’i themi legjitime një qeverie dhe një kryeministri të kapur në krim”.

Gjatë protestave të sotme të paktën tre policë u plagosën, ndërkohë që pati dhe qytetarë të cilët morën ndihmën e shpejtë për shkak të efekteve të gazit lotsjellës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG