Masakra në Zelandën e Re është pritur me dhimbje në mbarë botën dhe ka rizgjuar dialogun mbi nevojën për t’iu kundërvënë urrejtjes dhe ksenofobisë. Një shqetësim i ri në përhapjen e mesazheve të urrejtjes janë platformat dixhitale që po tërheqin vëmendjen e përdoruesve dhe politik-bërësve:
Nga Zelanda e Re në Pakistan, e deri këtu në Shtetet e Bashkuara një fill i përbashkët dhimbjeje, tronditjeje dhe shqetësimi pasoi masakrën në qytezën Christchurch.
“Gjithmonë të lind frika: a do të ndodhë diçka e tillë edhe në komunitetin tim,” thotë një banore e Miçiganit.
Personi i akuzuar për sulmin e përgjakshëm në Zelandën e Re postoi mesazhe të mbushura me urrejtje kundër imigrantëve dhe flitet se gjatë paraqitjes në gjykatë ka bërë me dorë përshëndetjen e nacionalistëve të bardhë. Një masakër e pashembullt në Zelandën e Re është një pamje e parë shpesh në Amerikë. Vetëm në katër vitet e fundit, një kishë në Karolinën e Jugut dhe një sinagogë në Pensilvani u bënë objekte sulmesh të ngjashme.
“Kur bashkohet urrejtja me armën, nuk ka si të ketë rezultat të mirë,” thotë ish-rabini i sinagogës “Pema e Jetës”.
Nacionalizmi i bardhë që më parë operonte në hije, tani ka dalë haptazi në Amerikë – që nga protestat publike në Sharlotsvill të Virxhinias në 2017, ashtu edhe në hapësirat dixhitale të medias sociale:
“Ata besojnë se popullata e bardhë me prejardhje evropiane është superiore krahasuar me racat e tjera. Këto bindje po shprehen publikisht, pra kanë dalë haptazi,” thotë një ish-specialist i antiterrorizmit.
“Ky problem shihet edhe në median sociale. Aktualisht ka shumë pak pengesa për të vendosur një prezencë në median sociale për këdo që përhap urrejtje. Prandaj përgjegjësia bie mbi kompanitë e medias sociale që të jenë vigjilente për të mos lejuar përhapjen e mesazheve të urrejtjes,” thotë ish-Sekretari i Sigurisë Kombëtare, Jeh Johnson.
Presidenti Donald Trump e dënoi menjëherë sulmin në Zelandën e Re.
“Është një ngjarje shumë, shumë e tmerrshme. I thashë kryeministres se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë përkrah tyre 100%”.
Por presidenti nuk i kushtoi rëndësi nacionalizmit të bardhë si kërcënim në rritje dhe tha se nuk e kishte parë manifeston e personit të akuzuar për masakrën në Christchurch ku Presidenti Trump lavdërohet si “simbol i rizgjimit të identitetit të bardhë dhe të një objektivi të përbashkët”.
Presidenti Trump u kritikua ashpër pasi fajësoi për dhunën në Sharlotsvill si supremacistët e bardhë, ashtu edhe grupet që ishin mbledhur në kundër-protestë. Po ashtu presidenti ka folur me terma negative për imigrantët pa dokumente dhe për vendet nga vijnë. Në një intervistë të dielën në emisionin Fox News Sunday, shefi i stafit të presidentit, Mick Mulvaney tha “Presidenti nuk është supremacist i bardhë”. Ai po ashtu foli edhe për personin e akuzuar për masakrën në Zelandën e Re:
“Nuk mendoj se është e drejtë ta identifikojmë këtë person si simpatizant të Presidentit Trump. Ai ishte një individ me probleme, një njeri i lig”.
Në mes të dhimbjes dhe frikës që zgjoi sulmi në Zelandën e Re, një i ri në Miçigan gjen një dritë shprese përpara:
“Zbulova se hakmarrja nuk është zgjidhja. Përgjigja e duhur është dashuria, mirësia dhe çdo gjë tjetër që është e kundërta e urrejtjes”.
Facebook Forum