Lidhje

Demokratët dhe kujdesi shëndetësor për të gjithë


Kujdesi shëndetësor në Amerikë pritet të jetë përsëri një çështje thellësisht përçarëse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020. Demokratët kërkojnë më shumë përfshirje të qeverisë ndërsa republikanët paralajmërojnë rritjen e taksave për atë që ata e shohin si përhapje të ideve socialiste. Por, ka gjithashtu propozime konkurruese mes kandidatëve demokratë që mbështesin ose ndryshime transformuese për të tërhequr bazën progresiste ose progresin në rritje për të tërhequr bazën e moderuar.

Rritja e mbështetjes publike për programet e kujdesit shëndetësor ndihmoi Partinë Demokrate të fitonte kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve në zgjedhjet e vitit 2018. Dhe mbështetësit e saj besojnë se kjo do të ndihmojë gjithashtu kandidatin e partisë në vitin 2020.

"Kujdesi shëndetësor është një çështje që do t’u jape fitoren demokratëve. Mendoj se fokusi tek kujdesi shëndetësor dhe zgjidhjet për të do të jenë të dobishme për kandidatin demokrat", thotë Anne Shoup me organizatën “Protect Our Care”.

Republikanët kanë dashur të shmangin kritikat se përpjekjet konservative për të shkurtuar financimin e qeverisë do t'u mohonin kujdesin shumë njerëzve në nevojë.

"Askush nuk përpiqet t’u mohojë kujdesin shëndetësor të sëmurëve. Mendoj se kjo është e rëndësishme të theksohet. Ajo që është e rëndësishme është se si ta arrijmë këtë", thotë Meridian Paulton me Fondacionin Heritage.

Kostoja në rritje e kujdesit shëndetësor vazhdon të jetë një shqetësim i madh në Shtetet e Bashkuara.

Senatori Bernie Sanders, i cili nuk arriti të marrë emërimin e demokratëve në 2016-ën, po vazhdon përsëri me premtimin për të zgjeruar programin qeveritar Medicare për të moshuarit për të ofruar kujdes falas.

"Qëllimi i një sistemi të kujdesit shëndetësor racional është të mos bëjë miliarda dollarë në fitime për kompanitë e sigurimeve dhe drejtuesit e tyre", thotë senatori Bernie Sanders.

Demokratë të tjerë të njohur që mbështesin këtë propozim janë senatorja e Kalifornisë Kamala Harris dhe ajo e Masaçjusets, Elizabeth Warren.

Por ka shqetësime se propozimi i një kontrolli të qeverisë për industrinë e kujdesit shëndetësor prej 2.5 trilionë dollarësh mund të zemërojë votuesit e qendrës në zgjedhjet e përgjithshme.

Kandidatët më të moderuar demokratë si senatorja e Minesotës Amy Klobuchar dhe ish-nënpresidenti Joe Biden, i cili ende po shqyrton nëse do të kandidojë, ...

... mbështesin masat shtesë - si një plan "opsioni publik" të qeverisë për të konkurruar ndaj kompanive private të sigurimeve.

Por një qasje e tillë mund të armiqësojë bazën progresiste të partisë që bën thirrje për ndryshime transformuese.

Presidenti Donald Trump ka kritikuar propozimet e kujdesit shëndetësor nga demokratët si socialiste.

"Ligjvënësit demokratë tani po përqafojnë socializmin, duan të zëvendësojnë të drejtat individuale me dominimin total të qeverisë".

Gjatë fushatës së vitit 2016, Trump premtoi se nuk do të shkurtonte programet e asistencës.

Por në buxhetin e këtij viti presidenti propozoi zvogëlimin e fondeve për Medicare dhe Medicaid, programe që sigurojnë ndihmë mjekësore për të varfërit dhe personat me aftësi të kufizuara.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG