Lidhje

SHBA – Rusi, bisedime mbi krizën në Venezuelë


I dërguari i posaçëm amerikan për Venezuelën Elliot Abrams thotë se Rusia dhe Shtetet e Bashkuara kanë dështuar të arrijnë një marrëveshje mbi zgjidhjen e krizës në Venezuelë pas bisedimeve në Romë. Ai nuk përjashtoi një takim të ardhshëm mes të dy palëve dhe tha se bisedimet ndihmuan të dyja palët të fitojnë një kuptim më të mirë të pikëpamjeve të njëri-tjetrit.

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Venezuelën, Elliot Abrams, i përshkroi bisedimet e Romës me zyrtarët rusë mbi krizën në Venezuelë si "të dobishme, thelbësore dhe serioze". Ai tha se bisedat i lejojnë Shtetet e Bashkuara të kuptojnë se "Rusia e sheh krizën në Venezuelë si shumë serioze, ndryshe nga Presidenti Maduro”, lidhur me aspektet ekonomike dhe humanitare.

Pas një takimi me zëvendësministrin e Jashtëm rus, Sergei Ryabkov, Elliot Abrams tha: "Nuk kemi ardhur në një takim të mendjeve, por bisedimet ishin pozitive në kuptimin që unë mendoj se të dyja palët dolën me një kuptim më të mirë të pikëpamjeve të tjetrit". Të dy palët mbeten në kundërshtim lidhur me legjitimitetin e presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro.

Shtetet e Bashkuara e kanë njohur Presidentin e vetëshpallur Juan Guaido si udhëheqësin e Venezuelës, ndërsa Rusia vazhdon të njohë zotin Maduro. Italia gjithashtu nuk i ka dhënë zotit Guaido njohjen.

Zoti Abrams u takua edhe me Pietro Benassin, këshilltarin diplomatik të Kryeministrit italian Giuseppe Conte, dhe tha se Shtetet e Bashkuara nuk po ushtrojnë presion mbi qeverinë italiane për të njohur Juan Guaidon si president legjitim të Venezuelës.

Takimet në kryeqytetin italian u zhvilluan pasi Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione të reja ndaj Venezuelës, këtë herë duke synuar kompaninë e minierave të arit Minerva dhe presidentin e kësaj firme.

Por në Shtëpinë e Bardhë, presidenti Donald Trump përsëriti të martën se "të gjitha opsionet janë të hapura" për të ardhmen e Venezuelës.

"Ne nuk kërkojmë asgjë tjetër përveç kujdesit për një numër të madh njerëzish që vdesin nga uria dhe po vdesin në rrugë. Ajo që po ndodh është një turp”, tha presidenti Trump.

Elliot Abrams theksoi se nuk po zhvillohen negociata, sepse "Ne nuk negociojmë të ardhmen e Venezuelës me Rusinë apo të tjerët, sepse e ardhmja e Venezuelës do të zgjidhet nga venezuelianët".

Moska me forcë paralajmëroi Shtetet e Bashkuara "kundër çdo tundimi për t'u mbështetur në forcë ushtarak" në Venezuelë. Agjencia ruse e lajmeve TASS, citoi zëvendës Ministrin e Jashtëm Sergei Ryabkov të thoshte: "Ne supozojmë se Uashingtoni i trajton seriozisht prioritetet tona, qasjen dhe paralajmërimet tona".

I dërguari i posaçëm amerikan për Venezuelën, Elliot Abrams nuk përjashtoi mundësinë për një takim të ardhshëm me Rusinë mbi krizën në Venezuelë, por tha se asnjë datë nuk ishte caktuar. Shtëpia e Bardhë njoftoi se presidenti Trump do të diskutojë gjithashtu të premten krizën e Venezuelës me udhëheqësit e Karaibeve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG