Lidhje

Kremlini sugjeron marrëdhënie më të mira me Uashingtonin pas raportit


Pas publikimit të raportit të prokurorit Robert Mueller për mundësinë e ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016, një zëdhënës i Kremlinit po sugjeron se tani mund të ketë mundësi për marrëdhënie më të mira mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.

Prokurori i Përgjithshëm amerikan William Barr publikoi dje një përmbledhje të raportit të zotit Mueller, ku thuhet se nuk u gjet asnjë dëshmi se Presidenti Donald Trump apo dikush tjetër në fushatën e tij bashkëpunoi me Rusinë.

Por përmbledhja tregoi se pati përpjekje të mëdha nga Rusia për të ndikuar në zgjedhje, përmes fushatave të dezinformimit.

Pavarësisht nga ky raport, zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov tha të hënën se qeveria ruse është gati t’i përmirësojë lidhjet me Shtetet e Bashkuara.

Zoti Peskov tha se Presidenti rus e bëri të qartë kur u takua me Presidentin Trump vitin e kaluar në Helsinki, se ai ishte i gatshëm të përmirësonte marrëdhëniet ndërmjet të dy vendeve, por shtoi se ishte në dorën e Shteteve të Bashkuara për të vepruar.

"Presidenti Putin ka thënë herë pas here se ne jemi të interesuar për marrëdhënie të mira me Amerikën. Pra, në këtë rast topi është absolutisht në fushën e tyre dhe ky top o kaloi Presidentit Trump në Helsinki. "

Korrikun e kaluar në Helsinki, presidenti Trump e pranoi deklaratën e zotit Putin se Rusia nuk kishte tentuar të ndërhynte në zgjedhjet amerikane, në kundërshtim të drejtpërdrejtë me raportet e agjencive amerikane të zbulimit.

Zoti Peskov tha se nuk e kishte parë raportin e prokurorit Mueller, kështu që nuk mund të komentonte për detaje të raportit. Ai këmbënguli se Rusia nuk ka ndërhyrë në zgjedhjet amerikane dhe nuk e ka zakon të ndërhyjë në punët e brendshme të vendeve të tjera.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG